Gjyqtari riosh i Durrësit, Olti Skrame, në shkelje të Kodit Etik (që ndalon komentimin e vendimeve të gjykatave) dhe duke marrë atributet e KLGJ-së, ka komentuar kritikat e kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarit Marko Boshku, duke i dalë në mbrojtje këtij të fundit.

Edhe pse qëndrimet në mbrojte të pavarësisë së gjyqtarëve nga presionet dhe ndikimet e mundshme të jashtme janë në tagër të KLGJ dhe magjistrati e ka të ndaluar komentimin e vendimeve të gjykatave, gjyqtari Olti Skrame, duke komentuar këtë çështje, i jep të drejtë gjyqtarit Marko, teksa thekson se pala e qeverisë ka qenë e paaftë proceduralisht për të mbrojtur veten.
“Marko Boshku është nga ata djem dhe gjyqtarë që ke nder t’i kesh kolegë! Sikur të kishim disa Marko më shumë, jo vetëm në gjykatat administrative, por në çdo gjykatë, Shqipëria do të ishte vend shumë më i mirë, i lirë dhe i drejtë. Gjyqësori është “shpikur” mbi të gjitha për të kontrolluar, kufizuar dhe ndëshkuar të pushtetshmit, me abuzimin kronik që të jep pozita. Nëse një gjyqtar, e sidomos një si Marko, sulmohet nga njëra palë në proces, thjesht dhe vetëm se ka humbur çështjen dhe ka qenë proceduralisht e paaftë të mbrojë veten, gjyqtari në fjalë meriton çdo vlerësim pozitiv, moral dhe ligjor, të mundshëm“, shkruan Skrame.

Marko Boshku mund të jetë një gjyqtar profesionist dhe qeveria mund të mos ketë të drejtë, po kush është Olti Skrame që jep verdiktin për këtë përplasje, duke keqpërdorur mantelin e gjyatarit?

Skrame është emëruar gjyqtar pranë Gjykatës së Kurbinit në vitin 2019 pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Skrame konsiderohet si një nga ‘krenaritë’ e rrufjanit të pasurive publike Irfan Hysenbelliu, pasi gjyqtari ka dalë nga shkolla e Fanes, e quajtur Universiteti Luarasi, universitet tip ‘Vitrinash’ që sot e ushtron ‘lirinë akademike’ në pasurinë publike Konvikti i Gjuhëve të Huaja.

Gjyqtari Olti Skrame nuk është lakuar as për vendime të dyshimta dhe as për pasuri të pajustifikuar, por qëndrimet e tij në rrjete sociale dhe përfshirja në debate politike duket se cënojnë figurën e tij si magjistrat dhe besimin e publikut tek drejtësia. Mbetet për t’u parë nëse ‘gjumashi’ i ILD do të nisë procedim disiplinor ndaj gjyqtarit Skrame.