I dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk, rrezikon të dënohet me vdekje

Botë

Publikuar: 16/09/2025

 I dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk, rrezikon të dënohet me vdekje

Prokurorët në Utah të Shteteve të Bashkuara kanë ngritur të martën aktakuzë për vrasje të rëndë kundër Tyler Robinsonit, i cili akuzohet për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në një universitet të Utahs.

Kjo nënkupton se Robinson mund të përballet me dënim me vdekje nëse shpallet fajtor për vrasjen e Kirkut javën e kaluar në Universitetin Valley në Orem.

“Vrasja e Charlie Kirkut është tragjedi amerikane”, tha prokurori i qarkut në Utah, Jeff Gray, duke e shpallur aktakuzën ndaj Robinsonit.

Ai tha se ADN-ja e Robinsonit u gjet në këmbëzën e armës së përdorur për të vrarë Kirkun.

Kirk u qëllua për vdekje më 10 shtator teksa po fliste me studentët dhe vdiq pak kohë më vonë. Prokurorët pretendojnë se Robinsoni e qëlloi Kirkun në qafë me një pushkë nga çatia e një ndërtese pranë kampusit universitar.

Aktakuza e ngarkon Robinsonin, 22-vjeçar, gjithashtu edhe për shkarkim të paligjshëm të armës së zjarrit, vepër që dënohet deri me burgim të përjetshëm, dhe për pengim të drejtësisë, që dënohet deri në 15 vjet burg.

Robinson pritet të dalë para gjykatës në një seancë virtuale pasditen e së martës, me kohën lokale në SHBA.

Nuk është e qartë nëse Robinsoni ka avokat që mund të flasë në emrin e tij, ndërsa familja e tij ka refuzuar të komentojë për Associated Press.

Robinson u arrestua të enjten mbrëma pranë St. George, komuniteti në jug të Utahs ku ishte rritur.

Hetuesit kanë folur me të afërmit e Robinsonit dhe kanë kryer një kontroll në shtëpinë e familjes së tij në Uashington, Utah, rreth 390 kilometra larg vendit ku ndodhi vrasja.

Kirk, një figurë e rëndësishme në politikën konservatore, u bë i afërt me presidentin amerikan, Donald Trump, pas themelimit të organizatës Turning Point USA me bazë në Arizona, një nga organizatat më të mëdha politike në vend.

Ai solli të rinjtë konservatorë evangjelistë në politikë. Vrasja e tij nxiti frikën për rritjen e dhunës politike në një Amerikë thellësisht të polarizuar.

Derisa autoritetet thonë se Robinsoni nuk ka bashkëpunuar me hetuesit, ata deklarojnë se familja dhe miqtë e tij kanë folur.

Guvernatori i Utahs, Spencer Cox, tha gjatë fundjavës se ata që e njihnin Robinsonin thonë se vitet e fundit ai ka anuar kah politikat majtiste dhe se ai kalonte shumë kohë në “kënde të errëta të internetit”.