Tezja e Lapajt e nis ‘mbarë’ në Parlament: Mbaj mbi supe 64 mijë deputetë. Mediat greke: Do përfaqësojë Helenizmin në Kuvend

Kryesore

Publikuar: 12/09/2025

Tezja e Lapajt e nis ‘mbarë’ në Parlament: Mbaj mbi supe 64 mijë deputetë. Mediat greke: Do përfaqësojë Helenizmin në Kuvend

Deputetja e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” Ana Dajko, mandati i së cilës ka qenë ndër më të debatuarit, foli pak për gazetarët pas përfundimit të pjesës së parë të seancës së sotme plenare në Kuvend.

60-vjeçarja, e cila ka tërhequr vëmendjen pas përplasjes publike mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, mbajti një prononcim për mediat ku pati edhe një moment lapsusi për shkak të emocioneve të forta në këtë debutim të rëndësishëm politik.

“Mbaj në supe 64 mijë mandate…”, por u korrigjua menjëherë nga gazetarët, të cilët saktësuan se bëhej fjalë për vota, jo mandate.

Pavarësisht situatës së sikletshme, ajo ruajti qetësinë dhe vijoi me fjalën e saj, duke theksuar angazhimin për të përfaqësuar zërin e qytetarëve që i besuan votën.

“Jam këtu për të përfaqësuar çdo qytetar që besoi te ‘Nisma Shqipëria Bëhet’. Do të punoj me ndershmëri dhe përkushtim në këtë mandat që na është dhënë,” u shpreh Dajko.

Gazetarët e pyetën deputeten Dajko lidhur me origjinën e saj dhe lidhjet me Greqinë, për shkak të disa informacioneve që kanë qarkulluar në mediat e shtetit fqinj që e kanë konsideruar greke.

“Jam shqiptare, dhe kam të drejtat si shtetase shqiptare.”, tha Dajko.

Ana Dajko është kushërira e Adriatik Lapajt, e dalë deputete nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Një 60-vjeçare nga Saranda, e panjohur për publikun më parë dhe pa asnjë angazhim politik, e cila do të ulet në Kuvendin e ri.

Lufta për mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pas një kërkese të pazakontë. Daja i Endri Shabanit, i vendosur fiktivisht në listën e mbyllur, iu drejtua KQZ-së, duke kërkuar që të mos i njihej dorëheqja, pasi, siç tha, nuk mbante mend të kishte firmosur për të hequr dorë nga kandidimi.

Në këtë ngërç, edhe Kleana Xhuveli, kushërira e Adriatik Lapajt, shpalli ambicien për të marrë mandatin.

Gjithsesi, vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor vulosi jo vetëm fatin e mandatit të këtij koalicioni, por dhe i hapi rrugë certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit dhe sot Dajko u paraqit në Kuvend për seancën e parë.

Mediat greke për tezen e Lapajt

Portali grek ‘apenadi.blogspot.com’ i ka bërë jehonë futjes në parlamet të kandidates së ‘Shqipëria Bëhet’, Ana Partali-Dajko, e cila do të jetë përfaqësuese e Adriatik Lapajt në Kuvendin e Shqipërisë.

Në një shkrim botuar ditën e djeshme, futja e deputetes Dajko shihet si një zë për helenizimin në Parlamentin shqiptar. Në artikullin e medias greke, sqarohen lidhjet e saj me Greqinë.

“Gjyshi i saj, Vasil Partali, i njohur me nofkën “Liatua”, u sakrifikua për bindjet e tij greko-ortodokse dhe vdiq në qelitë e burgut famëkeq të Spaçit.

Po kështu edhe familja e bashkëshortit të saj u përndoq rëndë nga regjimi komunist, ndërsa vjehrri i saj ishte bashkëvuajtës me gjyshin e saj në të njëjtin kamp”,- thuhet në artikull.

“Për Leshnicën dhe helenizmin në Shqipëri, ky është një moment i drejtësisë morale, pasi një grua që mban mbi supe kujtimet dhe sakrificat e brezave të mëparshëm, merr përsipër të përfaqësojë një komunitet me rrënjë të thella e histori të gjatë. Simbolika e njëqind vjetëve nga përfaqësimi i parë parlamentar të një bashkëvendësi e rrit edhe më shumë peshën e momentit”,- theksohet më tej.

Dajko, një 60-vjeçare nga Saranda që nuk është marrë kurrë me politikë, dhe që u kandidua fiktivisht në Tiranë, do të jetë deputetja e vetme e Koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Kolegji Zgjedhor i vendosi vulën konfliktit mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, duke mos dërguar në Kuvend as Lapajn më të votuarin e listës së hapur, dha as Kleana Xhuvelin, kushërirën e Lapajt nga lista e mbyllur.

Më poshtë shkrimi i plotë i medias greke:

Që nga nesër, helenizmi i Shqipërisë fiton një përfaqësim të ri dhe të veçantë në Parlamentin e vendit. Anna Partali–Daiko, me origjinë nga Simatati i Leshnicës së Poshtme, do të ulet në karriget parlamentare, duke përfaqësuar nismën “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt.

Ky zhvillim shënon një moment historik për Leshnicën, pasi pikërisht një shekull pas zgjedhjes së Nikola Ev. Lezos në vitin 1925, një tjetër bashkëvendës merr rol në skenën më të lartë politike të vendit.

Prania e Partali–Daikos ka simbolikë të veçantë, sepse ajo nuk vjen nga nomenklatura tradicionale partiake që formësoi politikën pas rënies së regjimit të Hoxhës. Përkundrazi, ajo vjen nga një familje që përjetoi përndjekjet dhe shtypjen e tri brezave. Është vajza e Kostas Partalit dhe Nica Meliut (nga fisi i Nikollao Meliut), si edhe bashkëshortja e Spiro Daikos, me origjinë nga Shën Vasili i Himarës.

Trashëgimia e saj politike dhe historike është e rëndësishme. Gjyshi i saj, Vasil Partali, i njohur me nofkën “Liatua”, u sakrifikua për bindjet e tij greko-ortodokse dhe vdiq në qelitë e burgut famëkeq të Spaçit.

Po kështu edhe familja e bashkëshortit të saj u përndoq rëndë nga regjimi komunist, ndërsa vjehrri i saj ishte bashkëvuajtës me gjyshin e saj në të njëjtin kamp.

Hyrja e Partali–Daikos në Parlament nuk ishte pa peripeci ligjore. Më 25 gusht, KQZ-ja e Shqipërisë miratoi vendimin e Komisionit të Apelimit dhe Sanksioneve (KAS), duke i dhënë mandatin e vetëm të nismës “Shqipëria Bëhet” kandidates së parë të listës zgjedhore, Annës Daiko. Kreu i nismës, Adriatik Lapaj, kërkoi të ndryshonte aplikimin dhe të transferonte mandatin te kushërira e tij, Kleana Xhuveli, por KQZ-ja mbeti e palëkundur, duke garantuar mandatin parlamentar për Partali–Daikon.

Zgjedhja e saj nuk lidhet vetëm me një emër të ri në politikë. Për Leshnicën dhe helenizmin në Shqipëri, ky është një moment i drejtësisë morale, pasi një grua që mban mbi supe kujtimet dhe sakrificat e brezave të mëparshëm, merr përsipër të përfaqësojë një komunitet me rrënjë të thella e histori të gjatë.

Simbolika e njëqind vjetëve nga përfaqësimi i parë parlamentar të një bashkëvendësi e rrit edhe më shumë peshën e momentit.

Vëllazëria e Leshniciotëve, me një deklaratë, përshëndeti zgjedhjen e Annës Partali–Daiko, duke theksuar se do të jetë në krah të saj në çdo hap.

“Do të jemi pranë saj në të gjitha përpjekjet për demokratizimin e Shqipërisë dhe të shoqërisë sonë atje”, – theksoi kryetari i Vëllazërisë, Jorgo St. Zioŋgas.

Me betimin e saj, deputetja e re është thirrur të tregojë se brezi i ri i politikanëve mund të ndërthurë respektin për kujtesën historike me kërkesën për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Sfida është e madhe, por shpresa që ajo ngjall si për minoritetin grek, ashtu edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi, është edhe më e madhe.