Zëvendësimi i Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese, 6 kandidatë konfirmohen! KED mbyll sot procesin

Kronike

Publikuar: 04/09/2025

Zëvendësimi i Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese, 6 kandidatë konfirmohen! KED mbyll sot procesin

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pritet të përfundojë këtë të enjte verifikimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, për vakancën e krijuar pas mbarimit të mandatit të kryetares aktuale, Holta Zaçaj. Kandidati i shtatë dhe i fundit është kryetari i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.

Pasi të përfundojë edhe verifikimi i kushteve ligjore të Bibës, KED do të kryejë pikëzimin e secilit prej kandidatëve të mbetur në garë, prej nga do të përzgjidhet fituesi.

6 kandidatët e tjerë që kanë kaluar raundin janë gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi; ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, ish-anëtari i po këtij këshilli, Alban Toro; ish-Komisioneri Publik, Florjan Ballhysa dhe dy ish-anëtaret e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bungo dhe Alma Faskaj.

Për vendin e Zaçajt, fillimisht ishin 13 kandidatë pas shpalljes së garës nga institucioni i emërimit Gjykata e Lartë, por gjashtë prej tyre u skualifikuan nga KED.