Kolegji Zgjedhor rrëzon padinë e PD dhe ceritifikon zgjedhjet e 11 majit

Aktualitet

Publikuar: 04/09/2025

Kolegji Zgjedhor rrëzon padinë e PD dhe ceritifikon zgjedhjet e 11 majit

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e Partisë Demokratike dhe ka certifikuar zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

PD kërkoi shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve, por Kolegji e rrëzoi këtë padi duke i konsideruar të rregullta këto zgjedhje.

Vendimi u mor me shumicë votash dhe nuk është i apelueshëm pasi ka formë të prerë.

Seanca në Kolegjin Zgjedhor kishte nisur që prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm (4 shtator).

Partia Demokratike, përmes përfaqësuesit të saj, Franc Nuri, kërkoi rrëzimin e vendimit të Komisionit Rregullatorit për shkak se vjen pas një procesi zgjedhor që opozita e quan farsë, me pretendimin e parregullsive në proces, përdorimin e administratës, burimeve shtetërore në zgjedhje etj.

Partia Demokratike dhe koalicioni që kjo forcë udhëhiqte u shprehën kundër vendimit të Komisionit Rregullator më 28 gusht, që i vendosi ‘vulën’ procesit të 11 majit dhe certifikoi zgjedhjet që shpallën Edi Ramën fitues të 83 mandateve.

Por, me vendimin e sotëm që dha Kolegji Zgjedhor duke rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike, zgjedhjet e 11 majit konsiderohen të vlefshme dhe një kapitull i mbyllur.

Partia Socialiste fitoi 83 mandate deputetësh në zgjedhjet e 11 majit, duke marrë edhe një mandat të katërt qeverisës. Kurse Partia Demokratike mundi të merrte vetëm 50 vende në parlament.