Shkatërrohet organizata mafioze në Kretë, 49 të arrestuar, a*më, d*ogë dhe para të sekuestruara

Kronike

Publikuar: 01/09/2025

Shkatërrohet organizata mafioze në Kretë, 49 të arrestuar, a*më, d*ogë dhe para të sekuestruara

Një operacion i gjerë i policisë greke në ishullin e Kretës çoi në shkatërrimin e një organizate mafioze dhe arrestimin e 49 personave. Autoritetet sekuestruan një dhomë të tërë të mbushur me armë, municione, lëndë narkotike dhe para cash.

Pamjet e publikuara nga policia tregojnë arsenal të plotë armësh, përfshirë pushkë gjysmë-automatike, armë lufte, pistoleta dhe sasi të mëdha municionesh, si dhe para në euro dhe paketime me drogë.

Sipas policisë greke, të ardhurat e organizatës arrinin rreth 3 milionë euro, ku 1.1 milion euro vinin nga trafiku i drogës, ndërsa pjesa tjetër nga aktivitete të tjera kriminale, përfshirë trafikun e armëve. Shumica e fitimeve përfundonin në duart e dy vëllezërve nga Kreta, të cilët konsiderohen si krerët e grupit.

Suksesi i operacionit i detyrohet pjesërisht punës së dy efektivëve të infiltruar në organizatë me autorizim prokurorie, të cilët u prezantuan si punonjës në sektorin e gastronomisë dhe fituan besimin e anëtarëve për të mbledhur informacione kyçe.

Hetimi filloi si një rast i zakonshëm trafiku narkotikësh, por u zbulua një rrjet i gjerë dhe i organizuar, që përfshinte edhe trafik ndërkombëtar armësh, përfshirë armë tip “Kallashnikov”.

Nga 49 të arrestuarit, shumica kanë precedentë penalë, disa me dosje ende të hapura dhe të tjerë me dënime të pazbatuara.