Frika nga veprimi i SPAK ka diktuar oligarkë, politikanë të korruptuar dhe çunat e kokainës të fshehin pas gjysheve kullat, resortet, komplekset e vilave, kompani, prona, makina luksoze dhe qarkullimin e flukseve të parave të pista. Pas gjysheve Tefta Zekaj dhe Sofije Merkaj, një tjetër stërgjyshe 74-vjeçare do të ndërtojë një kompleks me vlerë investimi dhjetëra milionë euro në zonën e Kepit të Rodonit.

Bëhet fjalë për zonjën Eljana Mitro, administratore dhe pronare e kompanisë së ndërtimit MW Plan shpk, një shoqëri me humbje të vazhdueshme. Kompania e themeluar në vitin 2012 në Durrës me kapital 100 mijë lekë, rezulton herë pas here edhe objekt sekuestrosh.


Në tetor të vitit të kaluar, kompania MW Plan shpk e zonjës Mitro përfitoi një leje KKT për ndërtimin e një resorti turistik te Kepi i Rodonit, në një zonë pyjore. Ndërtimi parashikon rreth 40 vila dhe një hotel luksoz.

Resorti turistik do të ndërtohet rreth 300 metra nga resorti i Ardian Halilit, ish-kreu i IMT-së në Durrës, që u shemb me tritol nga qeveria.

Faksimile: Resorti do të ngrihet në një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh, ku do të ndërtohen rreth 40 godina
Ndërtimet do të bëhen ngjitur me një zonë pyjore, ku ka informacione se edhe ajo po tjetërsohet dhe shumë shpejt do të “mbijnë” të tjera vila.


Dyshime dhe pikëpyetje të forta karakterizojnë këtë resort.
–Si është siguruar prona prej 3.6 hektarësh ku do të ndërtohet resorti?
–Cili është burimi i parave të investimit?
–Kush qëndron pas stërgjyshes, pronare e kompanisë së resortit?
Eljana Mitro ka punuar pranë kompanisë Alba Beton të vëllezërve Dulaku. Ndërkaq, banorët e zonës theksojnë se resorti në fjalë njihet si i “austriakëve”. Por, nuk ka të dhëna se kush qëndron pas pronares së dyshuar si fiktive, ndërkohë që në media vazhdimisht janë lakuar emra nga bota e krimit apo edhe e politikës për influenca në të gjithë Kepin e Rodonit.