Një ditë më parë e gjithë Shqipëria u pushtua nga një stuhi e fortë ere, shoqëruar me reshje të dendura shiu.
Në qytetin bregdetar të Vlorës situata deri në mesnatë ka qenë ende problematike si pasojë e përmbytjeve të disa rrugëve kryesore, përfshirë këtu rrugën e Portit dhe rrugën Albano dhe Romina.
Në afërsi të fshatit Xhyherinë gjithashtu në Vlorë, reshjet e dendura të shiut shkaktuan çarjen e kanalit të ujërave të larta, duke rrezikuar përmbytjen e dy banesave dhe një subjekti pularie. Shërbimet e policisë dhe ato të zjarrfikëses shkuan në zonë për monitorimin e situatës, ndërsa emergjencat civile dërguan një mjet fadromë për të frenuar përhapjen e ujit.
Përveç përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut dhe dëmeve nga stuhia e erës, probleme janë raportuar edhe me furnizimin me energji elektrike.
Disa zona në Durrës kanë raportuar problematika, ndërsa e njëjta situatë ka ndodhur edhe në kryeqytet.
Banorët e zonës së Linzës janë ankuar mbrëmjen e djeshme se janë pa energji elektrike. Kjo sjell rrjedhimisht edhe mungesën e furnizimit me ujë.
“Sa herë që ka stuhi dhe shi, ne banorët e zonës Linzë që jemi vetëm 15 minuta larg qendrës së Tiranës mbetemi pa energji elektrike. Rrjedhimisht jemi edhe pa ujë. Na ka ndodhur të mbesim edhe 2 apo tre ditë pa energji elektrike dhe ujë, dhe kemi frikë se një rast i tillë mund përsëritet”, u shprehën ata për “BW”.
Në reagimin e OSHEE, bëhet me dije se kjo ka ardhur si pasojë e djegies së transformatorit në nënstacionin HEC Lanabregas.
Po ashtu, të paktën 20 persona u paraqitën tek “Trauma”, ndërsa 10 të tjerë vijojnë të qëndrojnë në spital ku edhe po marrin trajtim mjekësor. Mësohet se këta persona kanë marrë dëmtime, për shkak të stuhisë së fortë që përfshiu vendin ditën e djeshme.