Skemë korrupsioni në Bashkinë Peqin, Sekretari i Përgjithshëm Julian Manahasa i jep tendera vetes

Investigim

Publikuar: 27/08/2025

Skemë korrupsioni në Bashkinë Peqin, Sekretari i Përgjithshëm Julian Manahasa i jep tendera vetes

Julian Manahasa, 43 vjeç, është Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Peqin. Më herët, Manahasa ka mbajtur postin e nënkryetarit të bashkisë, ndërsa vjen nga sektori i tatimeve.

Në vitin 2022, Manahasa ka themeluar komapaninë e ndërtimit T&J Construction shpk, duke qenë edhe në funksione të larta drejtuese në Bashkinë e Peqinit. Dy vjet më pas, Manahasa i ka shitur 50 % të aksioneve shtetasit Emilian Lluca. Duke keqpërdour funksionin publik, Manahasa ka nisur që të kalojë në llogaritë e kompanisë së tij një pjesë të parave publike të Bashkisë Peqin.

Kompania T&J Construction ka marrë rreth 70 mijë euro kryesisht nga Bashkia Peqin. Në bashkëpunim ka marrë rreth 4 milionë euro tendera publikë. Ka dyshime të forta se Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Peqin Julian Manahasa është përfshirë në një skemë më thellë korrupsioni me paratë publike.

Duke parë xhiron dhe transaksionet e T&J Construction, krijohen dyshime të forta se Manahasa ka diktuar tendera me vlerë miliona euro për disa kompani klienteliste, të cilat më pas kanë kontraktuar kompaninë e tij për zbatimin e kontratave publike. Është një manovër e përdorur masivisht me qëllim për të evituar ekspozimin dhe goditjen nga SPAK-u.

Pas provave të para të suskseshme, Manahasa po gatuan një skemë korrupsioni me vlerë 800 mijë euro, për rikonstruksionin e Qendrës Kulturore ‘Ferdinand Deda’ në Peqin. Tenderi është anuluar një herë pasi nuk fitoi kompania ‘që duhej’, sepse një kompani tjetër u fut me ofertë të ulët, duke sabotuar skemën.

Këtë tender Manahasa synon t’a marrë vetë, përmes një kompanie të paracaktuar, e cila më pas do të kontraktojë kompaninë e tij T&J Construction. Kjo lojë me paratë publike ku një personazh është edhe arbitër dhe lojtar zhvillohet nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi.