Kreu i IDF: Duhet ta pranojmë marrëveshjen për pengjet në Gaza, ia kemi dorëzuar Netanyahut në tavolinë! Izraeli bombardon Jemenin me 12 avionë

Botë

Publikuar: 25/08/2025

Kreu i IDF: Duhet ta pranojmë marrëveshjen për pengjet në Gaza, ia kemi dorëzuar Netanyahut në tavolinë! Izraeli bombardon Jemenin me 12 avionë

Dymbëdhjetë avionë luftarakë sulmuan lagjen presidenciale në Jemen, të kontrolluar nga rebelët Houthi.

Kundërpërgjigja e IDF-së erdhi ndaj Sanaas, ku godina u panë në flakë. Dy të vdekur janë raportuar deri tani dhe 35 të plagosur, si dhe 50 objektiva të goditur.

Khamenei nga Irani i lavdëroi militantët Houthi për sulmet e tyre ndaj Izraelit:

“Le ta ndalojmë shtetin hebre”.

Kurse kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi kundërpërgjigje të fortë ndaj rebelëve nëse sulmet do vazhdonin.

Por negociatat për të arritur paqen në Rripin e Gazës vijojnë, edhe pse shpresat janë të pakëta.

“Ekziston një marrëveshje pengjesh në tryezë, ne duhet ta pranojmë atë”, tha Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF), Gjenerali Eyal Zamir, gjatë një vizite në bazën detare të Haifa-s, siç raportohet nga The Times of Israel.

Zamir shtoi më pas:

“IDF krijoi kushtet për një marrëveshje, tani çështja është në duart e Netanyahut”, informon media.

Zamir gjithmonë ka qenë kundër planit të Netanyahut për të pushtuar Gazën, duke e cilësuar një “vrimë të zezë” dhe rrezik të lartë.

Në krahun tjetër, delegacionet siriane dhe izraelite raportojnë përparim në negociatat e vazhdueshme për një marrëveshje sigurie midis dy vendeve.

Sipas Presidentit të përkohshëm sirian Ahmed al-Sharaa, “marrëveshja në diskutim do të bazohet në një kthim në vijën ndarëse të vitit 1974 midis forcave izraelite dhe siriane në Lartësitë e Golanit”. Presidenti i vetëshpallur i Sirisë theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit ekonomik midis kombeve të Lindjes së Mesme dhe siguroi se “ai nuk do të hezitojë të marrë çdo vendim të nevojshëm për të miratuar një marrëveshje që përmbush interesat e Sirisë dhe rajonit”.