Gjykata liron ish-anëtarin e Vetëvendosjes të kapur me 11 mijë tableta ekstazi në Tiranë

Rajon

Publikuar: 25/08/2025

Gjykata liron ish-anëtarin e Vetëvendosjes të kapur me 11 mijë tableta ekstazi në Tiranë

Ish-Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Besnik Mujeci, i arrestuar para dy vitesh në Shqipëri pasi u kap me 11 mijë doza esktazi në vlerë prej 400 mijë eurosh, është liruar me kusht nga Gjykata në Shqipëri.

Mujeci është liruar në periudhë prove katër vjeçare, së bashki me një tjetër të pandehur. Për shkak se ata janë shtetas të Kosovës, edhe kontaktet duhet ti mbajnë me Shërbimin e Provës në Kosovë.

Lënien në fuqi të vendimit Nr.3114, datë 26.12.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me këtë ndryshim: Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurit Mithat Ramadani, për një periudhë prej 4 (katër) vjet. – Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurit Besnik Mujeci, për një periudhë prej 4 (katër) vjet. – Urdhërohen të pandehurit të mbajnë kontakte me shërbimin e provës. – Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurve Mithat Ramadani dhe Besnik Mujeci, nëse nuk mbahen për shkaqe të tjera të ligjshme”, thuhet në vendimin.

Mujeci së bashku me 4 të tjerë u arrestuan gjatë një aksioni të bujshëm policor në vitin 2023 pasi u kapën duke shitur ekstazi në lokalet e Tiranës. Pas kontrolleve të policisë u sekuestruan 11 mijë doza ekstazi gati për shitje, të cilat kishin logon “LV”.