Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar fillimin e negociatave për lirimin e pengjeve të mbetura dhe përfundimin e luftës në Gaza me kushte të pranueshme për ta. Ai iu tha trupave izraelite mbrëmjen e së enjtes se kabineti i tij kishte miratuar gjithashtu plane për një sulm masiv në qytetin e Gazës në veri të territorit, pavarësisht kundërshtimit të gjerë ndërkombëtar dhe vendas.
Hamasi ra dakord të hënën për një propozim të hartuar nga ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit për një armëpushim 60-ditor, i cili sipas Katarit do të shihte lirimin e gjysmës së pengjeve të mbetura në Gaza.
Por, duke u përgjigjur për herë të parë, Netanyahu nuk e ka pranuar marrëveshjen që është aktualisht në tryezë.
“Kam ardhur për të miratuar planet e IDF-së (Forcave Mbrojtëse të Izraelit) për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës dhe për të mposhtur Hamasin. Këto dy çështje – mposhtja e Hamasit dhe lirimi i të gjithë pengjeve tona – shkojnë dorë për dore”, shtoi Netanyahu, pa dhënë detaje rreth asaj se çfarë do të përfshijë faza tjetër e bisedimeve.
Të mërkurën, Hamasi akuzoi Netanyahun për shpërfillje të propozimit të ndërmjetësve për armëpushim dhe e akuzoi atë për pengim të një marrëveshjeje, sipas një deklarate të cituar nga Reuters.
Të shtunën e kaluar, zyra e Netanyahut lëshoi një deklaratë duke thënë se Izraeli do të “pajtohej me një marrëveshje vetëm me kusht që të gjithë pengjet të liroheshin menjëherë” dhe se kushtet për t’i dhënë fund luftës përfshinin çarmatosjen e Hamasit, demilitarizimin e Gazës, kontrollin izraelit të perimetrit të Gazës dhe instalimin e një qeverisjeje jo pro Hamasit.