Disa orë pasi qeveria izraelite miratoi planin e pushtimit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se kishin filluar operacionin në qytetin e Gazës. “Forcat tona tashmë kontrollojnë periferitë e qytetit”, tha zëdhënësi Effie Defrin, ndërsa Benjamin Netanyahu urdhëroi përshpejtimin e operacioneve për të goditur fortesat e fundit të Hamasit.
Në deklaratën e tij, Defrin konfirmoi se afërsisht 60,000 letra rekrutimi do të dërgohen këtë javë, dhe 20,000 të tjera priten deri në fund të muajit. Zëdhënësi i IDF-së tha gjithashtu se ushtria izraelite po punon për të siguruar hapësirë të mjaftueshme për civilët e Gazës që të evakuohen në mënyrë të sigurt dhe të marrin ndihmë dhe kujdes mjekësor.
Miratimi i planit të pushtimit të qytetit të Gazës dhe operacionet fillestare po zhvillohen në sfondin e një propozimi nga Hamasi, që do të përfshinte lirimin e 10 pengjeve të gjalla dhe një armëpushim 60 ditor, por deri më tani, Izraeli ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht këtij propozimi.
Hamasi, nga ana tjetër, u bëri thirrje ndërmjetësve që të ushtrojnë presion maksimal mbi udhëheqjen izraelite për operacionin e nisur. Përmes një deklarate, lëvizja tha se të gjithë do të mbajnë përgjegjësi për pasojat që mund të sjellë pushtimi jo vetëm nga Izraeli, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Plani i propozuar nga Netanyahu u miratua me 8 gusht nga kabineti politiko-ushtarak i Izraelit. Sakaq, një ditë më parë, ministri i Financave Bezalel Smotrich njoftoi edhe miratimin përfundimtar të planit për ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar, i cili sipas tij do të fshinte çdo perspektivë të një shteti palestinez.