FMN: Reformat e qëndrueshme mund të rrisin ekonominë shqiptare me 9%

Ekonomi

Publikuar: 20/08/2025

FMN: Reformat e qëndrueshme mund të rrisin ekonominë shqiptare me 9%

Ekonomia shqiptare ka potencial të rritet me rreth 9 për qind në periudhën afatmesme, nëse reformat strukturore kryhen në mënyrë të qëndrueshme dhe të thellë.

Kështu përflitet në një dokument të fundit mbi prioritetet e reformave në Evropë, ku Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson se Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përballet me sfida të mëdha në tregun e punës, kapitalin njerëzor, klimën e biznesit, qeverisjen dhe sundimin e ligjit.

FMN ngre shqetësimin se vendi ka treguar dobësi në realizimin e buxhetit. Vetëm gjatë vitit 2024, rreth 420 milionë euro të planifikuara nuk u shpenzuan, ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre ishin fonde të synuara për paga dhe shpërblime të pensionistëve.

Pjesa tjetër u kursye për interesa të borxhit dhe projekte investimesh, duke krijuar boshllëqe të ndjeshme në sektorë si punësimi, shëndetësia dhe arsimi.

Në fushën e arsimit, raporti evidenton hapa pas në testin ndërkombëtar PISA ndërmjet viteve 2018 dhe 2022, ndërsa numri i nxënësve në shkolla po bie me shpejtësi si pasojë e emigracionit dhe rënies së lindshmërisë.

Sipas FMN-së, përmirësimi i sistemit arsimor dhe programeve të trajnimit profesional është thelbësor për të kaluar nga një model ekonomik i bazuar në krahun e lirë të punës drejt një ekonomie me produktivitet më të lartë.

Në anën tjetër, sipërmarrja shqiptare vazhdon të hasë pengesa nga burokracitë dhe procedurat e komplikuara të licencimit. Fondi rekomandon thjeshtimin e rregulloreve dhe përmirësimin e kushteve për hyrjen dhe daljen e bizneseve nga tregu.

Një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë mbetet korrupsioni, i cili sipas FMN-së dëmton klimën e investimeve dhe ul besimin e biznesit vendas e të huaj.

Raporti nënvizon se pa një forcim të qeverisjes dhe pa një kontroll më të fortë të korrupsionit, çdo politikë tjetër ekonomike do të mbetet e kufizuar.

Megjithatë, nëse reformat strukturore kryhen në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë, potenciali për rritje ekonomike është i konsiderueshëm dhe mund ta afrojë Shqipërinë me standardet e zhvillimit në Evropë. (Albanian Post)