E rrëmbyen dhe e mbytën me litar, Apeli lë në burg dy autorët e vrasjes së Renis Dobrës

Kronike

Publikuar: 19/08/2025

E rrëmbyen dhe e mbytën me litar, Apeli lë në burg dy autorët e vrasjes së Renis Dobrës

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e ”arrestit me burg” për Fatjon Bushgjokën dhe Petrit Cakrrin, të dy të akuzuar për vrasjen e Renis Dobrës në Mat. 

Fatjon Bushgjoka u arrestuar më 16 Korrik në Tiranë dhe ndodhej nën shoqërinë e të dashurës së tij, e cila po ashtu u shoqërua nga blutë për t’u pyetur në lidhje me lëvizjet e të dyshuarit, ndërsa dyshohet se s’ka lidhje me krimin.

Ndërkohë dy vëllezërit e tij, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj ndodhen në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e tyre.

Gjithashtu u prangos si autor i dyshuar edhe Petrit Çakrri në Lekbibaj të Tropojës. Dy të arrestuarit janë dërguar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër.

Dy automjete janë përdorur nga vrasësit për të rrëmbyer, mbytur me litar dhe më pas për të zhdukur kufomën e Renis Dobrës, tentativë ku dështuan pasi trupi i 22-vjeçarit u gjet pranë lumit të Shkopetit.

Makina tip “Range Rover” i zi raportohet se ka shërbyer për të vëzhguar rrugën. Ndërsa mjeti tjetër tip “Hyundai” është përdorur për të ndjekur dhe më pas rrëmbyen Renisin, trupi i pajetë i të cilit u hodh së bashku me makinën ku udhëtonte i riu në humnerë.

Dyshohet se trupi i Renis Dobrës ka dalë nga automjeti gjatë rrokullisjes së makinës dhe është gjetur nga të afërm të tij teksa kërkonin për 22-vjeçarin.