RTK në krizë të thellë financiare: 700 punëtorë mbi dy javë pa paga, paralajmërohen protesta

Rajon

Publikuar: 15/08/2025

RTK në krizë të thellë financiare: 700 punëtorë mbi dy javë pa paga, paralajmërohen protesta

Mungesa e pagave për muajin korrik ka futur në krizë ekonomike mbi 700 familje të punonjësve të Radio Televizionit të Kosovës, ndërsa bllokimi i Kuvendit ka pamundësuar ekzekutimin e buxhetit për paga, duke nxitur paralajmërime për protesta të pandërprera.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) po përballet me një krizë të rëndë financiare, që ka lënë mbi 700 punëtorë pa paga për më shumë se dy javë.

Situata ka shkaktuar reagime të ashpra nga punonjësit, sindikatat dhe një pjesë e spektrit politik, ndërsa zgjidhja ende nuk është në horizont.

Mungesa e pagave për muajin korrik ka nxitur punonjësit e RTK-së të paralajmërojnë një protestë paqësore më 18 gusht 2025, nga ora 09:30 deri në 10:30, para objektit të institucionit në rrugën “Xhemail Prishtina” në Prishtinë.

Organizatorët kanë theksuar se protesta nuk do të ndikojë në rendin publik dhe se kërkesa e tyre është e qartë: ekzekutimi i menjëhershëm i pagave.

Protestës i është bashkuar edhe Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), e cila ka paralajmëruar mobilizim të përgjithshëm dhe vazhdim të aktiviteteve sindikale deri në përmbushjen e kërkesave. Sindikata ka rikujtuar se një protestë e ngjashme është mbajtur më 6 gusht dhe ka paralajmëruar se, nëse deri para datës së protestës pagat ekzekutohen, ajo do të anulohet.

“Kërkesa jonë është e vetme dhe e qartë: ekzekutimi i menjëhershëm i pagave, Ky angazhim dëshmon se veprimet tona kanë të vetmin qëllim, sigurimin e pagave, jo interesa personale” thekson sindikata.