Gjobë 100 mijë lekë për pronarin e “Jet Ski”-t në Ksamil, rrezikoi pushuesit

Aktualitet

Publikuar: 12/08/2025

Gjobë 100 mijë lekë për pronarin e “Jet Ski”-t në Ksamil, rrezikoi pushuesit

Një pronar mjeti lundrues u ndëshkua me gjobë prej 100,000 lekësh dhe me bllokim të mjetit, pasi rrezikoi pushuesit në Ksamil. Shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë pas një denoncimi në portalin e bashkëqeverisjes dhe publikimit të pamjeve në rrjetet sociale.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, pronari i mjetit lundrues tip “Jet Ski”, shtetasi S.D., shkeli perimetrin e sigurisë ujore duke lundruar në zonën e ndaluar për pushuesit. Ky veprim përbën shkelje të nenit 24/1/c të Ligjit nr. 43/2020. Si pasojë, përveç gjobës, mjeti lundrues iu bllokua.

Policia Kufitare u bën thirrje përdoruesve të mjeteve lundruese të respektojnë rregullat dhe perimetrin e sigurisë. Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë rastet e shkeljeve në numrin 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm.