Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të shqyrtojë sot (8 gusht) kërkesën e përfaqësuesve ligjorë të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për zëvendësimin e masës së sigurisë. Seanca do të zhvillohet në orën 10:00.
Kërkesa u paraqit nga avokatët e Metës më 6 gusht, ku sipas këtyre të fundit tashmë nuk ekziston më mundësia që Ilir Meta mund të prishë provat, për shkak se hetimi është mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim.
Po kështu, në kërkesën e tij për lehtësim të masës së Metës, avokati propozoi që ish-Presidentit t’i bllokohet pasaporta në mënyrë që të mos ketë mundësi të dalë nga Shqipëria.
Ilir Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.
Ish-Presidenti u arrestua më 21 Tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.