Ambasada kineze e përfshirë në vjedhjet e Bankersit, rrethoi Gjykatën e Apelit për të liruar CEO-n Hongping Xiao, zhvatje edhe për mësimin e gjuhës kineze

Investigim

Publikuar: 06/08/2025

Ambasada kineze e përfshirë në vjedhjet e Bankersit, rrethoi Gjykatën e Apelit për të liruar CEO-n Hongping Xiao, zhvatje edhe për mësimin e gjuhës kineze

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për drejtorin dhe pronarin në letra të “Bankers Petroleum”, Hongping Xiao dhe ish administratorin Leonidha Çobo, pjesë e organizatës kriminale që ka realizuar plaçkitjen më të madhe në historinë e kombit shqiptar; 6 miliardë euro të ardhura nga shitja e naftës dhe 7 miliardë euro shpenzimet, kryesisht fiktive, me qëllim shmangien e taksave, devijimin e fitimeve dhe përfitimin e dhjetëra milionë euro nga skema e TVSH-së.

Ditën e senacës për vlerësimin e masës së sigurisë për Hongping Xiao, Ambasada Kineze në Tiranë u angazhua me burime njerëzore, me qëllim për të ushtruar presion ndaj gjykatës, për të liruar nga burgu Xiao-n, i cili pretendon se është edhe pronar i kompanisë. Disa njerëz të Ambasadës Kineze ‘rrethuan’ Gjykatën e Apelit, ndërsa tentuan të hynin edhe në sallën e gjyqit me qëllim për të intiminuar gjykatën, por nuk u lejuan.

Lëvizja mësohet se është koordinuar nga Ambasadorja Kineze Pang Chunxue. Nëse akte të tilla do bëheshin në Kinë, ambasadorja e di shumë mirë se çfarë dënimesh parashikohen. Vjedhja e pasurisë publike në Kinë dënohet deri me vdekje, ndërsa dënime të rënda parashikohen edhe për ndërhyjre të tilla, madje edhe nëse kritikon politikat e presidentit kinez, Xi Jinping.

Qeveritë shqiptare kanë tradhtuar interesin publik, ‘ulin brekët’ para të huajve që plaçkisin pasuritë nëntokësore, madje kanë bashkëpunuar me Bankersin, duke ndarë plaçkën e vjedhur. Hetimi i Porkurorisë së Fierit, edhe pse i lodhur, sipërfaqësor dhe i mangët, tregon se si paratë nga shqytëzimi i puseve të naftës janë ndarë nga një bandë me shqiptarë dhe kinezë.

Qindra milionë euro i kanë marrë kinezët, duke i larguar jashtë vendit përmes transaksioneve me disa kompani fantazmë. Qindra milionë euro janë ndarë nga ‘ustallarët’ tanë, ku përfshihen deputetë, ish ministra, drejtorë, ish drejtorë, avokatë, familjet kryesore politike, oligarkë, sekserë etj.

Në vend që të marrë në dorë dosjen e vjedhjes më të madhe në histori, SPAK është investuar prej 4 vitesh me inceneratorët, duke e bërë këtë çështje fije-fije, me dhjetëra fraksione dhe mbi 60 të pandehur, ndërsa ka bërë edhe 60 mijë faqe dosje për brekët e gruas së Erion Veliajt.

Implikimi i Ambasadës Kineze

Për të shpenzuar paratë që duhet t’i derdhte në buxhetin e shtetit, kompania e naftës Bankers ka sajuar lloji-lloji banaliteti, deri edhe tek organizimi i konkurseve për mësimin e gjuhës kineze, duke kaluar nga puset e naftës tek gramatika. Disa aktivitete i ka realizuar në bashkëpunim me Ambasadën Kineze.

Për vite me radhë, Bankers ka financuar gjoja nxitjen e mësimit të gjuhës kineze, duke mbuluar me para Institutin Konfuci dhe Ambasadën e Kinës, ndërsa pagesa kanë marrë edhe mediat për të transmetuar këto aktivitete qesharake, pjesë e skemës së korrupsionit dhe pastrimit të parave. Miliona euro janë devijuar dhe pastruar përmes mësimit të gjoja gjuhës kineze për 7 vite me radhë.

Në prill të vitit 2022, Qing Fang, asokohe CEO i Bankers, i cili zbatoi aq sa qëndroi skemën e zhvatjes së pasurisë nëntokësore të Shqipërisë, fliste për financimin nga Bankers të përhapjes së kulturës kineze në Shqipëri. “Bankers është një nga kompanitë më mëdha dhe më të rëndësishme në vend. Ne jemi shumë të lumtur që po ndihmojnë në përhapjen e dijeve dhe kulturës kineze në Shqipëri, që është një nga kulturat më të lashta të njerëzimit“.

Në gusht të vitit 2002 u larguar Qing Fang dhe në vend të tij u emërua si administrator i Bankers Huanqin Xiau, një nga hajdutët e huaj më të frikshëm që ka hyrë ndonjëherë në Shqipëri. Huanqin Xiau, i besuar i pronarit në letra Hongping Xiao, i arrestuar me kërkesë të Prokurorisë.

Në vitin 2023, Huanqin Xiau, i cili i kishte vënë vetes pagë 1 milionë euro në vit, komentonte konkursin e radhës për gjuhën kineze. “Jam shumë i lumtur që shoh kaq shumë të rinj këtu të interesuar për të mësuar Gjuhën Kineze dhe që e flasin aq mirë atë. Kina është një vend i madh plot kulturë dhe histori dhe ka një gjuhë unike që është mjaft sfiduese për t’u mësuar. I uroj shumë suksese këtyre të rinjve në përpjekjet e tyre të ardhshme“.

Skema u përsërit edhe në maj të vitit 2024, ku u shfaq sërish Huanqin Xiau, ndërsa u ndalua kur kupola zhvatëse mësoi për hetimet që kishte nisur prokuroria.

Për vite me radhë, Bankers ka bërë kërdinë me pasurinë e shqiptarëve. Vetëm gjatë vitit 2021, në kuadër të shpenzimeve për të mos paguar taksa, kupola e Bankersit ka shpenzuar 460 mijë euro për festa, dekorime dhe akomodime.

Bankers ka shpenzuar deri në 500 mijë euro në vit për të paguar mediat, që të mos denoncojnë aferat korruptive të kompanisë dhe protestat ndaj saj. Për sigurime shëndetësore në spitale private shpenzimet janë 374 mijë euro në vit.

Dhjetëra milionë euro ka shpenzuar Bankers për shërbime ligjore, konsulencë dhe udhëtime. Kupola e kompanisë ka sajuar qindra mijëra euro për ping-pong, konkurse vizatimi, dhurata, veshje sportive, kalçeto etj.