I riu Ilirjan Selmani kishte prej 3 vitesh një lidhje intime me 52-vjeçaren Kozeta Teço, të cilën e vrau një ditë më parë brenda banesës së saj në Pogradec. Policia e Korçës ka zbardhur dinamikën e vrasjes, ndërsa 31-vjeçari tashmë është vënë në pranga i akuzuar për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.
Mbrëmjen e së dielës, ashtu si çdo natë tjetër, 31-vjeçari e kishte kaluar në shtëpinë e 52-vjeçares. Dyshohet se mes çiftit të ketë patur një grindje të çastit, por më pas i riu ka marrë thikën dhe e ka qëlluar disa herë 52-vjeçaren duke e lënë të vdekur në vend. Për të fshehur gjurmët, ai e dogji brenda në banesë dhe fillimisht policia dyshoi se gruaja kishte humbur jetën si pasojë e asfiksisë, por goditjet me thikë që u zbuluan në trupin e 52-vjeçares i dhanë tjetër kthesë ngjarjes.
Pasi i vuri zjarrin banesës, i riu është larguar rreth orës 05:00 të mëngjesit të 28 korrikut. Kamerat e sigurisë ndihmuan hetuesit të bien në gjurmët e tij, i cili u pa pranë pallatit në lagjen numër 1 në Pogradec, dhe që hidhte në koshin e mbeturinave disa sende. Aty u gjetën peshqirë dhe kartopeceta me gjak të dyshohet se janë përdorur nga autori për të pastruar vendin e ngjarjes.
“Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes së ngjarjes së ndodhur më datë 28.07.2025, në lagjen nr. 1, Pogradec, e cila fillimisht u raportua si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj.
Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së jashtme të trupit të pajetë, kanë krijuar dyshime se shkaku i humbjes së jetës së 52-vjeçares nuk ishte asfiksia, sepse në trupin e saj konstatuan dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës (thikë).
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera në drejtimin e Prokurorisë e Korçës, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit I. S., 31 vjeç, banues në Pogradec, i cili dyshohet se ka patur lidhje intime me 52-vjeçaren, prej 3 vitesh”, njoftoi Policia e Korçës.
Gruaja, e pamartuar dhe pa fëmijë, jetonte në kushte të vështira ekonomike në banesën në lagjen nr. 1 në Pogradec. Vetëm me ndihmë ekonomike, motrat të cilat jetojnë në Tiranë e ndihmonin 52-vjeçaren me lekë.
Autori i krimit njihej nga policia si përdorues i lëndëve narkotike, për shkak të të cilave ai shpesh herë shfaqte simptoma depresioni. Nga ana tjetër edhe viktima kishte shfaqur kohët e fundit probleme të shëndetit mendor.