Për herë të parë, pas 30 vitesh, Shqipëria do të ketë një Kod të Ri Penal. Drafti është hedhur për konsultim publik, periudhë gjatë së cilës që mund të pësojë edhe ndryshime të tjera.
Me Kodin e ri Penal lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë do të konsiderohet vepër penale dhe do të ndëshkohet me burgim deri në 3 vjet, sipas nenit 742 të draftit.
Ndërjaq, bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur nga mosha 14 deri nën 16 vjeç, dënohet me burgim nga 4 deri në 8 vjet. Nëse bashkëjetesa ndodh me një të mitur 16 deri në 18 vjeç, dënimi është nga 2 deri në 5 vjet. Për rastet më të rënda, kur bashkëjetesa ndodh me një të mitur nën moshën 14 vjeç, dënimi shkon nga 8 deri në 16 vjet burg.
Kush keqpërdor imazhin e një personi tjetër për të hapur profile të rreme në rrjetet sociale apo çdo faqe tjetër, do të dënohet me gjobë deri në 3 vite burgim. Këtë parashikon drafti i Kodit të ri Penal në nenin 842 për “Përdorimin e paligjshëm të imazhit”. Për këto raste, ndjekja penale fillon vetëm kur bën denoncim viktima ose avokati, dhe pushohet kur heq dorë pala e dëmtuar.
Një ndër nenet që ka pësuar ndryshimet, është edhe ai 181 në draftin e Kodit të ri, që ka të bëjë me lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Sipas diskutimeve për Kodin e ri Penal, të dënuarit me burgim të përjetshëm, mund të kërkojnë që të gjithë lirim me kusht pasi të kenë shlyer jo më pak se 35 vite burgim.