Sot do të zhvillohet seanca ndaj Petrit Çakrrit dhe Fatjon Bushgjokës, të akuzuar për vrasjen e Renis Dobrës, krim i kryer mbrëmjen e 8 Korrikut në Mat.
Seanca gjyqësore është planifkuar të zhvillohet në orën 09:00 në Gjykatën e Dibrës.
Ndërkohë janë ende në kërkim dy vëllezërit e Fatjon Bushgjokës, Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka.
Renis Dobra, 23 vjeç, u ekzekutua pak ditë më parë, ndërsa trupi i tij u gjet në liqenin e Shkopetit në datën 8 korrik.
Vrasja e 23-vjeçarit u zbardh më 16 Korrik, ku u vendosën në pranga 2 prej autorëve të dyshuar, të cilët dhanë dëshmi kontradiktore para hetuesve, por janë kamerat e sigurisë në bizneset e aksit Burrel-Tiranë që i kanë tradhtuar.
E kaluara e errët në Gjermani, besohet të jetë bërë shkak i vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra në Shqipëri.
Policia kriminale e Dibrës, ka zbuluar se Dobra ishte dënuar me disa vite burgim nga Drejtësia Gjermane për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Të tre vëllezërit Bushgjoka, personazhe të njohur për policinë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Dobra, të cilin pasi e vranë me litar e hodhën bashkë me makinën e tij buzë liqenit të Shkopetit. Në ndihmë kanë pasur edhe persona të tjerë, ndërsa hetimet e bluve deri më tani kanë çuar në pranga 2 persona, 2 janë shpallur në kërkim dhe 4 janë shoqëruar.
Dëshmitë dhe pamjet e kamerave të sigurisë kanë çuar grupin hetimor në drejtim të tre vëllezërve nga Tropoja.
Eliminimi i 23-vjeçarit është vënë në jetë pas një plani të mirëmenduar. Për të kryer vrasjen, vëllezërit Bushgjokaj dhe Çakrri kanë marrë disa makina me qira, në Rinas dhe Yzberisht, të ndryshme çdo ditë për të paktën 72 orë me radhë kur kanë survejuar lëvizjet e Dobrës. Përmes kësaj skeme shpresonin të ishin të vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet. Madje, makinave kanë tentuar t’u heqin edhe GPS-in, por nuk kanë mundur. Pasi policia identifikoi auromjetet përmes pamjeve, kuptoi se ishin marrë me qira, dhe më pas, përmes gjurmimit të GPS-së u dokumentuan me prova të gjithë lëvizjet kriminale për eliminimin e 23-vjeçarit. Vëllai më i vogël, Aleksandër Bushgjokaj, dyshohet se në krim ka bashkëpunuar për nxjerrjen për në Kosovë të vëllait tjetër, po me makinë të marrë me qira.