4 vrasësit e Renis Dobrës për lekët e shitjes së drogës, e shkuara e 3 vëllezërve Bushgjoka, grabitje me dhunë, trafik droge dhe arratisje

Krim & Korrupsion

Publikuar: 16/07/2025

4 vrasësit e Renis Dobrës për lekët e shitjes së drogës, e shkuara e 3 vëllezërve Bushgjoka, grabitje me dhunë, trafik droge dhe arratisje

Dy nga nga 4 autorët e dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, më 8 korrik, janë arrestuar nga policia. Në pranga kanë rënë Petrit Çakrri, i cili u ndalua në Tropojë, ndërsa Fatjon Bushgjoka në Tiranë, të cilët ishin shpallur në kërkim më herët.

(Fation Bushgjoka)

Ndërkohë në kërkim janë shpallur edhe dy persona të tjerë, vëllezërit e Fatjon Bushgjokës, që dyshohen si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje. Shkak i rrëmbimit, torturimit dhe mbytjes me litar të Renis Dobrës dyshohet se janë mosmarrëveshjet në trafikun e drogës.

Tre vëllezërit Bushgjoka kanë një të kaluar të errët dhe njihen në kartotekat e policisë kriminale, si persona me precedent penalë. Fatjon, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, rezultojnë me precedent kryesisht në vjedhje, shpërndarje droge dhe arratisje nga burgu.

Të tre vëllezërit banojnë në Kamëz dhe prej disa ditësh, policia ka kryer veprime hetimore ndaj tyre, për shkak se dyshohen të jenë implikuar në rrëmbimin dhe më pas vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra në Burrel.

Më i njohuri prej tyre është Fatjon Bushgjokaj, i cili është proceduar dhe dënuar disa herë për vjedhje në Shqipëri, shpërndarje droge, vjedhje dhe tregti droge në Itali, mbajtje pa lejë të armëve e municioneve, kundërshtim të forcave të rendit si dhe arratisje nga burgu.

Në tetor 2019, Fatjon Bushgjokaj ka marë një lejë disa ditore nga burgu i Rrogozhinës duke mos u kthyer më aty. Në periudhën e arratisjes nga burgu, Bushgjokaj po vuante një dënim me 6 vite burgim për disa vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim. Për vjedhje janë proceduar edhe vëllezerit Kristi dhe Sandër Bushgjokaj.

Petrit Çakrri, njëri nga personat e arrestuar për mbytjen e Renis Dobrës pak ditë më parë në Liqenin e Shkopetit, është edhe dëshmitar i vrasjes së Azem Hajdarit. Ai rezulton të jetë një prej dëshmitarëve okularë i vrasjes së ish deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998.

Eliminimi i 23-vjeçarit është vënë në jetë pas një plani të mirëmenduar. Fillimisht autorët e dyshuar të ngjarjes e kanë mbajtur të riun në vëzhgim. Për 3 ditë me radhë e kanë ndjekur në zonën e Burrelit deri kur mbrëmjen e 8 korrikut e morën peng dhe pasi e mbytën me litar e hodhën në Liqenin e Shkopetit.

Pasi e vranë, autorët e futën trupin e 23-vjeçarit në makinë dhe e hodhën në Liqenin e Shkopetit me qëllim për të fshehur ngjarjen, por trupi i pajetë i të riut ka dalë jashtë, ndërsa mjeti përfundoi në ujë. 

Për të mos lenë gjurmë, autorët janë kujdesur që të marrin makina me qira, por plani duket se nuk u shkoi ashtu siç e menduan. Policia ka rënë në gjurmët e mjeteve, duke zbuluar edhe dyqanet ku janë marrë me qira në zonën e Rinasit dhe atë të Yzberishtit.

Pista e hetimit janë konfliktet për trafikun e drogës. Detajet e ngjarjes kriminale u dhanë edhe në një konferencë për shtyp nga drejtori i Policisë së Dibrës, Artion Duka i cili tha se i riu rezulton i dënuar në Gjermani për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe dyshohet se me 4 personat e përfshirë në vrasje, kanë pasur mosmarrëveshje në fushën e narkotikëve.