Kryebashkiaku i Konispolit refuzon Ramën për shkarkimin e drejtorëve, ja çfarë mund t’i ndodhë ‘rebelit’ Ergest Dule

Kryesore

Publikuar: 15/07/2025

Kryebashkiaku i Konispolit refuzon Ramën për shkarkimin e drejtorëve, ja çfarë mund t’i ndodhë ‘rebelit’ Ergest Dule

Pas urdhrit të Ramës për të dhënë dorëheqjen të gjithë drejtorët e bashkive në rang vendi, një ngërç po krijohet në Bashkinë e Konispolit.

Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, ka refuzuar të shkarkojë drejtorët në varësi të tij, dhe për këtë ka patur debat me Kryeministrin Rama. Dule ka sfiduar autoritetin e Ramës, figura e të cilit është fuqizuar më tej pas fitores së thellë në 11 majit, duke siguruar mandatin e katërt.

Dule është shprehur se “drejtorët janë të rinj dhe të aftë në punë”. Nga ana tjetër, Kryeministri i është përgjigjur duke thënë “jepe ti dorëheqjen nëse nuk i shkarkon”.

Një ditë më parë, pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve në njësitë administrative në Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër, Lushnje etj. I vetmi që ka bërë rezistencë është Dule, ‘rebelizmi’ i të cilit mund t’i sjellë pasoja. Dule mund të humbasë mbështetjen e qeverisë për realizimin e projekteve, por mund t’i hapet edhe ndonjë çështje penale.

Pasi sfidoi autoritetin e Ramës, Ergest Dule mund të shpallet ‘non grata’ në parti. Nëse Rama nuk ‘zbutet’, Dule jo vetëm do humbasë shansin për një mandat të dytë në 2027, por do t’i ndërpritet edhe karriera politike.