Zeqineja nis tranformimin për t’u kthyer në një ‘zonjë qyteti’, lë pas fushën e Myzeqesë

Aktualitet

Publikuar: 07/07/2025

Zeqineja nis tranformimin për t’u kthyer në një ‘zonjë qyteti’, lë pas fushën e Myzeqesë

Nëse ndokush kishte iluzionin se flaka ‘Zeqine’ ra dhe u shua, u gabua. Mjafton të shohësh portalet ditët e fundit për t’u kthyer me këmbë në tokë.

Zeqineja rishfaqet e bardhë “all inclusive” me pamje, qëndrim dhe sfond. E marrë nga fushat e Myzeqesë, e vendosur në një ambient të kuruar me kujdes, ajo vendoset në një version “artistik”. E veshur me tyl e thonj të bardhë, me hire të mbuluara qëllimisht, me sfond një imitim autoparlantësh të bardhë – Zeqineja – fillon një mision të ri: të imitojë një zonjë “qyteti”.

Zeqineja po testohet në të gjitha mënyrat para se të hidhet në arenën e Parlamentit. Nga ulërimat, ngërdheshjet, pasthirrmat e tekstet me nënkuptime seksuale, sot Zeqineja u vendos në frekuencën e një vajze kokëulur, falënderuese e “artdashëse”.

E sforcuar të aktrojë rolin e ri: “vajza mirënjohëse nga fshati”, Zeqineja, falënderoi pas Kryeministrit, Malbardhën, farmacisten që nuk hoqi dorë nga dyqani i lagjes, për të qenë deputete me mandat 4-vjeçar. Gojët e liga thonë që farmacistja refuzoi çdo kërkesë për të shpallur dorëheqjen në Facebook, derisa e mori vetë Edi Rama.

Nga sot, Zeqineja do futet në fazën finale të provave për legjislaturën e re në Parlament, atje ku e presin performancat e vështira live. Zeqinesë këto dy muaj do i testohet gjithçka, si me pult. Do i testohet zëri, pamja, veshja, imazhi e fjala, në çdo lloj sfondi dhe frekuence.

Zeqineja është përzgjedhur për të qenë “all inclusive”, për të zëvendësuar në një deputete të vetme disa deputete që s’do jenë më në sallë. Te Zeqineja pritet të shohim në Parlamentin e ardhshëm Etilda Gjonajn, Mimi Kodhelin, Blerina Gjylametin dhe Monika Kryemadhin. Ato nuk do na mungojnë kur të shohim Zeqinenë e veshur, lyer e krehur si koketë parlamenti, apo kur t’i turret me çizme Roskoveci në duar, Gazit, Mulit apo Belind Këlliçit.

Andi Bushati nuk ka të drejtë kur e krahason Zeqinenë me një “bibë”, ashtu si e etiketoi “buallicë” Sara Milan e Elbasanit. Të dyja janë e ardhmja e politikës parlamentare, frymës së re, vajzës dhe gruas që do vendosë për fatet e shoqërisë shqiptare.

Zeqineja do përfaqësojë rininë e ardhur nga një jetë e thjeshtë fshati, që ka vetëm një mundësi të njihet në kryeqytet: të bëhet një instalacion “all inclusive” jo vetëm politik.