PD do të djegë mandatet në shtator? Cili është kuptimi i zotimit të Berishës se nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet e 11 Majit

Aktualitet

Publikuar: 04/07/2025

PD do të djegë mandatet në shtator? Cili është kuptimi i zotimit të Berishës se nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet e 11 Majit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vazhdon të deklarojë se nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet e 11 Majit, duke i konsideruar farsë. 

Kjo deklaratë nuk është e re, por përsëritet vazhdimisht në çdo dalje publike, duke u shndërruar në një refren politik jo vetëm nga Berisha, por edhe nga rrethi i besnikëve të tij.

Në këtë kontekst lind natyrshëm pyetja: çfarë nënkupton realisht Berisha kur shprehet se nuk do t’i njohë kurrë këto zgjedhje? A do të thotë që Berisha nuk do të njohë as Kuvendin e ri, duke bojkotuar kështu seancën e konstituimit? Apo nënkupton se do të përdorë djegien e mandateve dhe do t’i rikthehet skenarit të mosbindjes civile, i cili, tashmë, është provuar se si përfundon?

Nga ana tjetër, nëse ai deklaron me forcë se nuk do t’i njohë zgjedhjet, por pastaj në shtator merr pjesë në Kuvend për të bërë betimin si deputet, kjo do të nënkuptonte automatikisht pranimin e zgjedhjeve të 11 Majit. Për të mos folur pastaj për kandidatët e tij që kanë kërkuar rinumërim dhe verifikim të kutive të votimit, të cilët, jo vetëm që e kanë njohur procesin zgjedhor, por edhe e kanë rrëzuar argumentin e tij të farsës në kuti./TEMA