Drejtuesi i makinës “Audi Q8”, e cila përplasi 3 mjete pasditen e së mërkurës në Tiranë në ndjekje nga polcia, dyshohet se ishte Joni Sadikaj, 26-vjeçar. Po ashtu si Skerdi Sina, ai ishte shpallur në kërkim që prej muajit janar, për ngjarjen e mistershme në zonën e Astirit në Tiranë, ku me 5 djem të tjerë, kyçën në një apartament të marrë me qira, një vajzë 21-vjeçare, pasi kishin pirë gjithë natën lëndë narkotike dhe alkool.
Joni Sadikaj dyshohet se në atë kohë nuk kishte shumë ditë që ishte njohur me vajzën në një prej lokaleve më të njohur të Astirit, ku ajo punonte. Sadikaj mundi t’u largohej policisë me vrap dhe deri më tani nuk është lokalizuar.
Por policia bëri me dije se ka bërë identifikimin dhe shpalljen e tij në kërkim. Kurse Skerdi Sina u ndalua prej ditës së djeshme, teksa dështoi të arratisej si i afërmi i tij.
Të dy të rinjtë identifikohen edhe si rreth miqësie apo kushërinj të Aleksandër Sadikajt, të riut që u vra në një atentat me bombë të telekomanduar në muajin qershor të vitit 2022 në afërsi të TEG-ut në Tiranë, teksa udhëtonte me mjetin e tij luksoz drejt Memaliajt, ku kishte ngritur edhe një biznes agro-fermë.
Ngjarja ndodhi dje (2 korrik) në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, kur një automjet i dyshuar për transport armësh është ndjekur nga policia në zonën e “Vasil Shantos” dhe është përplasur pranë Partisë së Lirisë me tre makina të tjera. Pas ndalimit, u sekuestrua një armë zjarri dhe u shoqërua pasagjeri, që rezultoi se ishte Skerdi Sina, që gjithashtu kërkohej për ngjarjen e 9 janarit në ‘Astir’.