Çdo ditë aksidente me monopatina, mjekët kërkojnë që përdorimi të rregullohet me ligj: Patentë për përdorimin e tyre

Aktualitet

Publikuar: 26/06/2025

Çdo ditë aksidente me monopatina, mjekët kërkojnë që përdorimi të rregullohet me ligj: Patentë për përdorimin e tyre

Pas aksidentit të një dite më parë të tre te miturve me monopatinë mjekët e spitalit të Traumës u kërkojnë autoriteteve shtetërore të ndërhyhet me ligj për rregullimin e lëvizjeve me monopate pasi pothuajse çdo ditë ka aksidente prej tyre.

Kirurgu ortoped Ilir Hasmuça tregon për dëmtimet dhe traumat që shkakton një aksident me monopatinë.

“Ka ardhur koha edhe për shkak te përdorimit masiv të rregullohet me ligji, kush duhet t’i përdorë, shpejtësia, madje personalisht edhe një mini-patentë”, u shpreh Hasmuça në një intervistë për TCH.

Dëmtimet që pëson i aksidentuari me monopatinë janë shumë të rënda, të cilat kërkojnë kohë të gjatë rikuperimi në rast se nuk janë fatale.

“Dëmtimet janë nga më të ndryshmet, nga të gjymtyrëve, tek dëmtimet e kokës si dhe të organeve të brendshme”, thotë Hasmuça

Duke iu referuar përvojave të vendeve europiane, mjekët propozojnë që drejtuesit e monopatinave të kenë patentë për këto mjete dhe të respektojnë të gjitha masat e sigurisë.

Nga Spitali i Traumës, çdo ditë raportohen 2 deri në 3 raste aksidentesh të shkaktuara nga skuterat elektrikë në rrugë, ku fatkeqësisht nuk kanë munguar as humbjet e jetës.