Hakmerret Irani, sulmon bazat amerikane në Katar e Irak, rrëzon edhe një avion të Izraelit, Donald Trump mbledh Këshillin e Sigurisë

Krim & Korrupsion

Publikuar: 23/06/2025

Hakmerret Irani, sulmon bazat amerikane në Katar e Irak, rrëzon edhe një avion të Izraelit, Donald Trump mbledh Këshillin e Sigurisë

Konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar pasditen e kësaj të hëne, pasi Irani ka goditur me gjashtë raketa bazën më të madhe amerikane në Lindjen e Mesme. Irani ka lëshuar gjashtë raketa balistike kundër bazave amerikane në Katar. Po ashtu, Irani ka lëshuar një raketë drejt një baze amerikane në Irak. 

Shpërthime thuhet se u dëgjuan në Katar menjëherë pasi një alarm ‘kërcënimi i besueshëm’ u lëshua në bazën Al Udeid, e cila strehon mbi 10,000 trupa amerikane, si dhe mbi 100 avionë, bombardues strategjikë dhe anije cisternë. 

Sulmi i drejtpërdrejtë vjen pak pasi Irani kërcënoi të niste sulme ndaj ushtrisë amerikane në përgjigje të bombardimit të centraleve bërthamorë gjatë fundjavës.

“Irani nuk do të lërë pa përgjigje asnjë sulm ndaj integritetit të tij territorial, sovranitetit dhe sigurisë kombëtare në asnjë rrethanë”, thotë Garda Revolucionare e Iranit në një deklaratë. 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është tani në Krahun Perëndimor ku pritet të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. 

Mediat ndërkombëtare raportojnë se marinsat qëndrojnë jashtë derës së ndërtesës ku është planifikuar të mbahej mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ndërkaq, Forcat e armatosura iraniane dyshohet se kanë rrëzuar një avion luftarak F-35 izraelit në afërsi të qytetit Tabriz, në pjesën veriperëndimore të vendit, dhe kanë kapur pilotin. Sipas mediave shtetërore iraniane, ky është avioni i katërt F-35 që pretendohet të jetë rrëzuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit.