Mbahet sot ministeriali i SEECP në Tiranë, axhenda dhe rrugët ku do të ketë kufizime dhe bllokime të qarkullimit

Aktualitet

Publikuar: 16/06/2025

Mbahet sot ministeriali i SEECP në Tiranë, axhenda dhe rrugët ku do të ketë kufizime dhe bllokime të qarkullimit

Mbahet këtë të hënë, 16 qershor, ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) në Tiranë. Eventi pritet të nisë në orën 11:30, ku fjalën hapëse do ta mbajë ministri i Jashtëm Igli Hasani.

Nga ora 11:40 deri më 13:00, do të mbahet turneu i tavolinës sipas radhës së folësve. Tema e diskutimit do të jetë “Rritja e Konkurrueshmërisë së Rajonit dhe Rritjes Gjithëpërfshirëse si Rrugë drejt Integrimit në BE për Pjesëmarrësit Aspirantë të SEECP-së”. Më pas, parashikohet të mbahet deklarata e këtij samiti.

Për rreth 20 minuta, deri në orën 13:30, do bëhet dorëzimi i kryesisë së SEECP-së. Pas gjithë këtyre, do të mbahet dhe një foto familjare mes lidërve prezentë.

Presidenti Begaj do të presë liderët

Në orën 14:30, presidenti Bajram Begaj do të presë kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).  Në 15:30, është parashikuar fjala hapëse e Begajt, ndërsa seanca plenare pritet të zgjasë deri në orën 17:00. Presidenti pritet të zhvillojë edhe takime të veçanta me homologë dhe liderët pjesëmarrës për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende.

Në mbyllje të samitit, presidenti Begaj do t’i kalojë homologut të tij bullgar Radev kryesinë e radhës të SEECP-së. Në fund, pritet të mbahet edhe një deklaratë për shtyp nga Begaj, presidentja e RMV Gordana Siljanovska-Davkova dhe ai i Bullgarisë Rumen Radev.

Policia e Tiranës ka njoftuar se do të shoqërohet me kufizim të përkohshëm të lëvizjes për qytetarët, për shkak të masave të marra për zhvillimin në kryeqytet të Samitit të SEECP. Ndalimi i qarkullimit do të jetë në harkun kohor të ardhjes së delegacioneve dhe në ikjen e tyre.

Të bllokuara do të jenë segmentet rrugore, Aeroporti i Rinasit – Autostrada Durrës-Tiranë – Unaza e Re – Rruga e Elbasanit – Rruga “George W. Bush” – Rruga “Dervish Hima”. Gjatë zhvillimit të aktivitetit, do të ndalohet përkohësisht qarkullimi, parkimi i automjeteve dhe lëvizja e këmbësorëve në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e Dibrës.

Policia bën me dije se orari i kufizimeve do të përcaktohet në varësi të mbërritjes së delegacioneve në Aeroportin e Rinasit.

“Në ardhje të delegacioneve: Aeroporti i Rinasit– Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës-Tiranë” – Unaza e Re – Rrethrrotullimi i Saukut – Rruga e Elbasanit– Rruga “George ë Bush” – Rruga “Urani Pano”-Rruga “Dervish Hima”.

Në largim të delegacioneve: Rruga “George  W Bush” – Rruga e Elbasanit– Rrethrrotullimi i Saukut – Unaza e Re – Sheshi “Shqiponja” – Autostrada “Tiranë-Durrës” – Mbikalimi i  Kasharit – Aeroporti i Rinasit.

Gjithashtu, po me datë 16.06.2025, gjatë zhvillimit të aktivitetit, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve si dhe lëvizjes të këmbësorëve, në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e DIbrës.

Orari i kufizimeve do të varet nga mbërritja e delegacioneve në Aeroportin e Rinasit.”, njofton policia.

SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia. 

Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një forum i rëndësishëm politik që synon dialogun dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore, i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës Shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.

Tirana mori Kryesimin e SEECP-së për periudhën Korrik 2024 – Qershor 2025, pas Kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi, dhe do t’i pasohet në vijim Sofjes.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë i SEECP-së u zhvillua në Kretë në vitin 1997.