Nuk është më vetëm varësia nga rrjetet sociale, por një mënyrë e tërë jetese që formohet në heshtje, në mënyrë të pandërgjegjshme dhe shumë shpesh, dëmshëm.
Siç shpjegon nutricionistja Dr. Albana Daka në Apostrof Podcast, shumë prej nesh jetojnë sot një varësi të dyfishtë: nga pajisjet elektronike dhe nga ushqimi i përpunuar. Adrenalina që gjenerohet nga ekranet – qoftë nga lojërat, videot apo rrjetet sociale – na vendos në një gjendje të vazhdueshme stimulimi dhe ushqimi që konsumojmë paralelisht nuk është më aty për të na ushqyer, por për të mbajtur gjall atë stimulim.
Por çfarë ndodh kur ky ritëm kthehet në mënyrëjetese? Kur ushqimi i përpunuar dhe pijet energjike bëhen pjesë konstante e përditshmërisë?
Dr. Daka shprehet se njerëzit që mbështeten në mënyrë të përsëritur te këto produkte, janë më të prirur që të vuajnë nga mangësi të theksuara të vitaminave dhe mineraleve, gjë që shkakton jo vetëm problematika të shëndetit fizik. Në fakt, janë shenjat e shëndetit mendor ato që dalin të parat në sipërfaqe: ankth, depresion, atake paniku.