Ilir Meta dhe Elton Roshi morën më shumë vota te 313, por Berisha flet vetëm për ‘princeshën’ e Elbasanit

Politikë

Publikuar: 13/06/2025

Ilir Meta dhe Elton Roshi morën më shumë vota te 313, por Berisha flet vetëm për ‘princeshën’ e Elbasanit

Në konferencën e fundit për shtyp, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sistemin e drejtësisë për mbajtjen padrejtësisht në burg të ish-presidentit Ilir Meta.

Berisha nuk ngurroi të përmendë edhe një tjetër çështje që ka të bëjë me votimin në burgje, duke ironizuar një kandidate të Partisë Socialiste si “princesha e burgut”, për shkak të rezultatit të lartë që kishte marrë në burgun e Elbasanit.

Por, ajo që bie në sy është se Berisha shmangu çdo koment për një tjetër aspekt të këtyre votimeve e që ishte rezultati surprizë i Ilir Metës në burgun e sigurisë së lartë 313 në Tiranë, aty ku Meta, sipas të dhënave zyrtare, ka dalë kandidati më i votuar i listës së hapur të PD-së me 58 vota nga 133 votues. Pas tij, renditen Elton Roshi me 10 vota, Ilda Zhulali me 9, ndërsa figura të njohura të PD-së si Ilir Alimehmeti e Jorida Tabaku morën vetëm nga 6 vota secili.

Është ironike se në të njëjtën kohë që denoncon “kapjen e drejtësisë”, Berisha nuk komenton faktin që pikërisht Ilir Meta, i cili aktualisht ndodhet në qelitë e burgut 313, ka arritur të marrë shumë vota, i ndjekur nga Elton Roshi.