Falkonët dhe Borselinot e Shqipërisë në tribunën V.I.P. me krimin, korrupsionin dhe vajzat e silikonit, ‘sallata’ e shefit të “pularisë” së FSHF-së në ndeshjen me Serbinë

Aktualitet

Publikuar: 10/06/2025

Falkonët dhe Borselinot e Shqipërisë në tribunën V.I.P. me krimin, korrupsionin dhe vajzat e silikonit, ‘sallata’ e shefit të “pularisë” së FSHF-së në ndeshjen me Serbinë

Skandali i vërtetë në ndeshjen e kombëtares me Serbinë, nuk ishte shitja e biletave, në “pularinë” e FSHF-së, po ata që gjendeshin krah për krah njëri-tjetrit në tribunën V.I.P.

Drejtësia dhe krimi, së bashku, të veshur kuq e zi, kënduan në kor himnin e flamurit shqiptar, pasi dëgjuan të shahej nga “motra” himni serb. Vajzat e showbizit shqiptar, ministre apo gra biznesmenësh, buzëqeshnin me pak siklet së brendshmi, me pak merak, kur imagjinonin se motrat e serbëve, ishin ruse… dhe burrat shqiptarë, të gjithë, kërkonin ato.

Për herë të parë, shefi i pularisë, ndjehej më i rëndësishëm se vetë shefi i qeverisë. Armando Duka shpërndau VIP-letat për këdo, edhe për ata, Falkonët dhe Borselinot që guxuan për një çast t’i fusnin në burg zëvendësin.

Në tribunën V.I.P, Duka i pularisë, i kishte sistemuar të gjithë, sikur zarzavatet e freskëta, brenda një pjatance plot me sallatë greke, që i thonë rrallë edhe “sallatë shtëpie”.

Aty ishte SPAK, po atje ishin edhe të pandehurit e tij, bashkë dhe komentatorët e tyre. Krimi, politika, media dhe drejtësia, bënë paqe për 90 minuta, aq sa duhej të mbarohej puna me “ruset” e serbëve.

Xhovani Falkone me Paolo Borselinon i shpallën “luftë” mafies, e cila i ekzekutoi të dy në verën e nxehtë të vitit 1992. Të dy ishin në kulmin e karrierës, 53 dhe 52 vjeç, kur vendosën të sfidojnë Cosa Nostran. Dy burrat kurajozë, me pamje epike, me pak mustaqe, dërguan në gjyq 475 mafiozë, 360 prej të cilëve u dënuan me burgime të gjata. Më i rëndësishmi prej tyre u dënua me burgim të përjetshëm. Ai ishte kasapi, Toto Rina.

33 vite më pas “heronjtë e fëmijëve shqiptarë”, u shfaqën në të njëjtën tribunë ku tundej e shkundej silikoni kuq e zi, bashkë me sponsorët prej UEA apo Amerika Latine.

Falkone dhe Borselino prej Shqipërie, pa mustaqe, me pak bark, mbajnë të njëjtën famë si kolegët magjistratë të Italisë, por me një ndryshim të vogël: ata janë dhe do jenë gjallë edhe 50 vjet dhe, nuk i tremben fare “Toto Rinave” nga Fushëkuqja apo Dubai, madje ulen në pushim të ndeshjes, duke ngrënë dhe pirë, në të njëjtin çanak, bashkë me ta.

Paolo i Shqipërisë, u ndje më krenar se Borselino i Italisë, kur iu krekos VIP-ave, me pamjen “E shihni, Lali në burg, unë në tribunë me ju…”. Ndryshe nga “Falkone” që u ndje keq, pse dreqin u shfaq aty, në mes të gjithë atyre syve kureshtarë e armiqësorë, ku në çdo çast i dukej se, Andi Bushati kërkonte të shqyente shumë më tepër motrat e SPAK, se ato të serbëve.

A është mëkat të ndjekësh kombëtaren e futbollit pak metra nga fusha e emocioneve që t’i fal vetëm ky sport? Jo!

Mëkat është vetëm të qëndrosh në të njëjtin vend ku është kryer një krim e të mos lëvizësh gishtin. Aty ku çdo vend V.I.P mban të ulur bythë korrupsioni.

Mëkat nuk është pse s’je hero, si Falkone apo Borselino, por të qëndrosh në stadium, ngjitur në krah të atyre që bërtasin në kor: “Shqipëri, Shqipëri… t’q…a motrën!”