Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, të cilin e la në burg ‘populli i 2 marsit’, ka zbuluar tradhtarin kryesor të brendshëm në zgjedhjet e 11 majit. “I falenderoj të gjithë ata shok e miq që punuan, por që u tradhtuan nga një maskara, i cili me porosinë time është i shpallur non grata dhe e di sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, i cili dorëzoi listën prej 12 mijë emrash që kishin bërë shokët, miqtë, dashamirësit e Ilir Metës për të votuar për Ilir Metën, tek patronazhistët sepse priste që të bëhej sekretar i përgjithshëm në vend të Tedi Blushit, sipas premtimeve të bashkëpuntorëve dhe bashkëpuntoreve të tij” u shpreh Meta.

‘Armiku i brendshëm’ për të cilin flet Ilir Meta është një nga njerëzit e tij më të besuar, Petrit Sinaj, ish kryetar i Bashkisë Berat për vitet 2015-2019, i propozuar nga LSI, pra nga Meta. Besueshmëria e Metës u forcua tek Sinaj, kur ky i fundit u martua me vajzën e tezes së Ilir Metës.

Pas largimit nga Presidenca, Ilir Meta e emëroi Sinajn Sekretar për Pushtetin Vendor në LSI. Madje Sinaj është parë disa herë edhe në rolin e shoferit të Ilir Metës, i cili tashmë e akuzon se është shitur tek Edi Rama, duke i dorëzuar listën e miqve të cilëve Meta u ka nisur nga burgu 12 mijë letra, duke u kërkuar që t’a mbështesin në zgjedhjet e 11 majit.
Petrit Sinaj nga hoxhë në prift
Petrit Sinaj ka mbaruar studimet e larta për mësuesi në universitetin “Aleksanëdr Xhuvani” në Elbasan. Gjatë viteve të studimeve, filloi të frekuentonte një institucion fetar në atë qytet, institutin “El Hagri”, një institucion fetar islam, që kohë më pas do të mbyllej nga qeveria shqiptare për lidhje të dyshimta.
Kur e pa që nuk i doli gjë me këtë institucion, Sinaj nuk qëndroi në vend, por u lidh me disa shoqata ungjillorësh, duke u kthyer nga “hoxhë” në “prift”.
Në vitet 1995-1997 ka punuar si mësues. Nga viti 1997 deri në vitin 2002 ka shërbyer si pastor protestant në disa zona të ndryshme të vendit, gjithashtu duke punuar edhe me disa organizata fetare ungjillore. Kjo është periudha e artë e Sinajt përsa i përket aspektit ekonomik.
Në vitin 2003 do të kandidonte në komunën e Sinjës nën siglën e Partisë Demokratike përballë djalit të xhaxhait të tij në këtë komunë, i cili kandidonte nën siglën e PS-së.
Kuptohet që humbja e Sinës ishte e sigurt.
Ky është kandidimi i tij i parë dhe humbja e parë në politikë. Por Sinaj duket se e kishte kuptuar se tek fitorja arrihet vetëm nëpërmjet humbjeve.
Lidhja me Ilir Metën
Nga viti 2003 deri në vitin 2006 vijon punën me predikimin e Ungjillit dhe me disa OJF të huaja. Është pikërisht ky vit (2006) ku Ilir Meta konfliktuohet me drejtuesit e LSI-së së Beratit, duke e shkrirë degën e LSI-së në Berat dhe duke e ngritur atë nga e para.
Njeriu i duhur për këtë pozicion do ishte ish-frektuentuesi i fondacionit islamik “El Hagri”, i konvertuar në protestant, si Ungjillorë, dhe i kandiduar nga PD-ja si kandidat i saj në komunën e Sinjës përballë çunit të xhaxhait të tij, pikërisht bashkëshorti i kushërirës së parë të Ilir Metës, Petrit Sinaj.
Vakumi që lanë ish-drejtuesit e LSI-së në Berat bën që Sinaj t’i konsolidonte pozitat.
Ndërsa lidhja e tij familjare me Metën do ta shoqëronte gjithë kohën si yll polar.
Vitet 2007 deri 2011 nuk thonë asgjë për z. Sinaj, përveçse lufton fort kundër kandidatit të LSI-së në 2009, Gledjon Rehovica, për të mos fituar si deputet në Berat, arritja e tij më e madhe është mbajtja e pozicionit të Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës së Beratit.
Në vitin 2011, në atë kohë LSI-ja ishte në koalicion me PD-në, i lutet Metës ta kandidojë për Kryetar të Këshillit të Qarkut të Beratit, kandidim që e fiton, si rezultat i mbështetjes së madhe që i dha në atë kohë e gjithë PD-ja dhe veçanërisht si rezultat i mbështetjes që Meta po i jepte burrit të kushërirës.
Pas marrjes së drejtimit të Qarkut të Beratit, gjëja e parë që bën është heqja e të gjithë punonjësve të këtij institucioni dhe zëvendësimin e tyre me militantë të LSI-së, gjë që do t’i shkaktonte dëm buxhetit të shtetit miliona lekë.
Një aferë korruptive
Në vitin 2013, Ilir Meta nuhati humbjen e Sali Berishës dhe u afrua me Edi Ramën. Nga ana e tij, Edi Rama, pas humbjes në 2009, edhe pse PS doli parti e parë, si dhe pasi Berisha i vodhi fitoren në Tiranë në 2011, kishte pasiguri dhe u bashkua me Metën. Dy vjet më vonë, Edi Rama pranoi propozimin e Metës për të kandiduar burrin e vajzës së tezes, Petrit Sinajn, për Bashkinë e Beratit, ku fitorja e së majtës nuk është diskutuar kurrë.
Si kryetar i Bashkisë Berat, Petrit Sinaj nisi të kanalizonte paratë publike në xhepat e Vladimir Metanit, i cili është daja i Ilir Metës.

Daja i Ilir Metës ka marrë tendera publikë me vlerë rreth 25 milionë euro, plus miliarda lekë nënkontraktime.

Daja i Ilir Metës, Vladimir Metani, i cili ka mbledhur vota për LSI në Kamëz, i ka marrë paratë publike përmes kompanisë Desaret Company, me nipt K01816001J.

Kompania është themeluar që në vitin 1996 dhe besohet se ka marrë dhjetëra milionë euro para publike ndër vite, me ndikimin e Ilir Metës.

Metani herë ka dalë vetë si pronar, herë e ka kaluar kompaninë në emrin e shtetases Sofije Shani. Por, të dhënat tregojnë se kompania është themeluar dhe kontrollohet nga daja i Ilir Metës.

Çfarë ndodh? Ilir Meta i imponohet Edi Ramës dhe bën kryetar bashkie në Berat, burrin e vajzës së tezes së tij, Petrit Sinajn. Pasi zgjidhet kryetar bashkie, Petrit Sinaj i jep tendera dajës së Ilir Metës, Vladimir Metanit, drejtëpërdrejt dhe në mënyrë të tërthortë.
Në 17 korrik 2019, Petrit Sinaj i ka dhënë dajës së Metës tenderin për rikonstruksionin e Shkolles 1 Maj në Berat, me vlerë 500 mijë euro, me një diferencë modeste mes fondit limit dhe ofertës fituese. Daja i Metës ka marrë miliona euro tendera nga bashkitë Skrapar, Lezhë, Përrenjas etj., të drejtuar nga përfaqësues të LSI-së. SPAK nuk e ka hetuar këtë linjë korrupsioni të Ilir Metës në kuadër të kopsitjes së dosjes së tij të korrupsionit që nga viti 2002 deri kur la Presidencën.
Vajza e tezes së Metës mori nga Panariti 44 hektarë tokë publike për biznes
Pas kalimit nga Berisha në krahun e Ramës, Ilir Meta e pa veten sërish në pushtet në vitin 2013. Krahas finalizimit të aferave të tij me CEZ-DIA, interkonjeksionin, ligjet me porosi etj., të faktuara nga SPAK-u, Meta ka menduar edhe për njerëzit e tij të afërt. Për të realizuar aferat korruptive, Meta përdorte ministrat dhe drejtorët e tij, si Piro Xhixhon, Edmond Haxhinaston, Edmond Panaritin etj.
Meta vë në lëvizje ministrin e Bujqësisë, Edmond Panaritin për t’i dhënë vajzës së tezes së tij, Sonila Sinaj, pra bashkëshortes së Petrit Sinajt, 44 hektarësh tokë publike, për 99 vjet, për të investuar për bimë medicinale. Në vitin 2014, Panariti finalizon me shpejtësi kalimin e pronës publike në duart e kushërirës së parë të Metës.