Mekaniku në gjendje kritike për jetën, pezullohet aktiviteti i “Albchrome” në Elbasan 

Aktualitet

Publikuar: 04/06/2025

Mekaniku në gjendje kritike për jetën, pezullohet aktiviteti i “Albchrome” në Elbasan 

Inspektorati i Punës vendos pezullimin e pjesshëm të aktivitetit në Uzinën e Ferrokromit (Albchrome) në Elbasan.

Ky vendim është marrë pas ngjarjes së rëndë të regjistruar ditën e sotme ku u plagos gjatë punës në këtë uzinë punëtori 51-vjeçar Rudin Meçja, i cili mësohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Aktiviteti i repartit ku ndodhi aksidenti është pezulluar deri në marrjen e masave për sigurinë e punëtorëve.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi rreth orës 12:15 në repartin e copëtimit të ferrokromit, ku një pllakë qindra kilogramëshe i ra mbi trup mekanikut, Rudin Meçja.

Mekaniku mësohet se po punonte së bashku me një grup kolegësh për ndërrimin e pllakave të copëtimit të ferrokromit, një proces që kryhej kohë pas kohe në uzinën e Albchrome. 51-vjeçari ka qenë poshtë pllakës së copëtuesit dhe është goditur në shpatull dhe në shtyllën kurrizore. Rudin Meçja u dërgua fillimisht në spitalin e Elbasanit, por për shkak të gjendjes së tij kritike, bluzat e bardha vendosën ta dërgonin me urgjencë tek spitali i Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar. Mësohet se ai ka pësuar politraumë me dëmtime të rënda të organeve të brendshme.

Një muaj më parë kompania që administron Uzinën e Ferrokromit në Elbasan u gjobit me 8 milionë lekë, pasi rezultoi se nuk respektonte rregullat e sigurisë gjatë procesit të punës.