Plagosja e kamerierit 15-vjeçar në piceri, arrestohet autori i dyshuar: Armën e hodha te ‘Don Bosko’! 

Aktualitet

Publikuar: 03/06/2025

Plagosja e kamerierit 15-vjeçar në piceri, arrestohet autori i dyshuar: Armën e hodha te ‘Don Bosko’! 

Arrestohet autori i dyshuar i plagosjes në piceri të kamerierit 15-vjeçar me një armë të dyshuar si pistoletë-stilolaps (artizanale).

Policia e Tiranës bën me dije se ka prangosur të dyshuarin Aldo Neziri. Ndërkohë që ende në kërkim është administratori i subjektit, Leonardo Mejdani. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema, informon se i dyshuari Neziri është arrestuar në Tiranë. Gjatë marrjes paraprake në pyetje mësohet se ai mban qëndriminn se krimi ka ndodhur aksidentalisht, kurse për armën ka thënë se “e ka hedhur në një kosh në ‘Don Bosko’”. Arma e krimit nuk është gjendur ende nga ana e policisë.

Tre nga të dyshuarit e ngjarjes u arrestuan dje, pasi akuzohen se e fshehën atë, hoqën edhe DVR-të për pamjet nga kamerat e sigurisë, që mund të shërbenin si provë dhe të zbardhnin krimin që dyshohet se ka qenë aksidental. Dy persona u shpallën në kërkim pas ngjarjes dhe 3 të tjerë u arrestuan, pas plagosjes së 15-vjeçarit kamerier në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet ditën e diel (1 qershor).

Autori dhe administratori i biznesit nuk u gjetën pas krimit, ndërsa me 3 punonjësit prishën vendngjarjen dhe fshehën DVR-në e pamjeve të kamerave të sigurisë. Policia dyshon për ngjarje aksidentale, por nuk e përjashton mundësinë e një konflikti për çështje lekësh. I mituri, i cili kishte nisur punë vetëm 2 javë më parë në picerinë e kushëririt të tij, në zonën e “Ali Demit”, nuk ishte i deklaruar.