Pas Tom Doshit, SPAK rrethon Luan Duzhën, i sekuestrojnë telefonin dhe 200 mijë euro në banesë

Krim & Korrupsion

Publikuar: 27/05/2025

Pas Tom Doshit, SPAK rrethon Luan Duzhën, i sekuestrojnë telefonin dhe 200 mijë euro në banesë

SPAK ka bërë kontroll në banesën e deputetit të PS-së, Luan Duzha, pasi dyshohet se është përfshirë në krim elektoral gjatë fushatës zgjedhore parlamentare të 11 Majit. Fillimisht, oficerët e BKH i kanë sekuestruar telefonin Duzhës, por pas këqyrjes së tij, i janë drejtuar me një tjetër kërkesë gjykatës, duke kërkuar lejimin e kontrollit të banesës së zyrtarit të PS-së në Elbasan.

Kontrolli i banesës është kryer nga oficerët e BKH, të cilët në këtë aksion janë shoqëruar dhe nga dy patrulla policie në policinë e Elbasanit.

Ende nuk dihet me saktësi se çfarë kanë gjetur në banesë, por verifikimet ndaj këtij rasti janë në veprim e sipër.

Janë sekuestruar 200 mijë euro cash në një banesë, por nuk dihet me saktësi nëse janë gjetur në shtëpinë e Luan Duzhës apo në një banesë tjetër.

Paralelisht me këtë ndërhyrje, ditën e sotme një delegacion i nivelit të lartë nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) zhvilloi një takim pune me drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi.

Fokusi i këtij takimi ishte analiza e ecurisë së hetimeve aktive, shkëmbimi i informacionit operacional dhe përmirësimi i metodave hetimore për të ndëshkuar ata që tentojnë të manipulojnë procesin zgjedhor.