Sudja dhe Xhaferi i zgjedhjeve, si u ndihmuan nga kampet kundërshtare për të ‘dalë në breg’ pasi u hodhën në ‘det të hapur’ nga Berisha dhe Rama

Analizë

Publikuar: 26/05/2025

Sudja dhe Xhaferi i zgjedhjeve, si u ndihmuan nga kampet kundërshtare për të ‘dalë në breg’ pasi u hodhën në ‘det të hapur’ nga Berisha dhe Rama

Lufta post zgjedhore për të kuruar imazhin e rrënuar nga marifetet e përdorura të mijëra votave të trukuara nga dy “fitues” po ashpërsohet çdo ditë që kalon. Fitorja plebishitare e Edi Ramës dhe humbja e Sali Berishës ka nxjerrë në pah kulisat e zgjedhjeve të 11 Majit. Të dy udhëheqësit kishin dy personazhe që nuk i donin fare në Kuvend dhe i lanë në listë të hapur. Xhafaj nga PS dhe Tabaku nga PD u lanë në “qiell te hapur” për të mos fituar. Por të dy arritën të mbledhin mijëra vota “zemre”.

Mekanizmat e përdorur nga secili sot po demaskohen nga vetë rivalët e tyre. Adriana Kalaja akuzon Sude Tabakun se e kanë ndihmuar oligarkët dhe vetë Edi Rama që të fitojë e të blejë vota, ndërsa Xhafaj u la i “lirë” dhe nuk u ngacmua fare nga “ujqit” e PD-së që vinin qark nëpër Tiranë ditët e zgjedhjeve për të kapur manipulimet dhe zyrat e fshehta. Nuk foli për zyrën sekrete të Xhafës as Belo Ezmeri, as Flamour Noka që nuk lanë skutë socialiste pa zbuluar.

Sude Tabaku përdori median e Fanes për fushatë. Xhafaj e përdori Fanen sot, pas fushate, për të treguar se sa shumë e goditën nën brez përgjatë saj, e që megjithatë fitoi.

Sude Tabaku përveç oligarkëve që aludohet, bleu edhe deklaratat e dy pensionistëve gjermanë në Berlin, nga ku ata e lartësuan se ajo ishte pikërisht ajo, opozitarja e vërtetë. Mos harrojmë se vëllai i Sudes ka një bazë të mirë në Gjermani. Punon në një bankë oligarkësh gjermanë që shet kësi deklaratash.

Nga ana tjetër Xhafaj që mori mijëra vota në njësitë e kolegëve të tij Majko, Xhaçka apo Kodheli, u ndihmua nga njësiti gueril demokrat që nuk e dekonspiroi bazën e tij sekrete tek Komuna e Parisit, si dhe nga disa demokratë të flaktë dhe ndërtues njëkohësisht, të cilët kanë lidhje direkte me vettingun në drejtësi.

Të dy “fituesit” u ndihmuan nga kundërshtarët e tyre, paçka se kryetarët respektivë nuk i donin në listë.

Adriana Kalaja pretendon se ka fakte që do i nxjerrë për Sude Tabakun. Për mënyrën se si i ka blerë votat. Për Xhafën kanë vërshuar një mori mesazhesh post zgjedhore që thonë se ka pasur manipulim gjigand në mijëra votat e “zemrës”. SPAK nga ana e tij heshti dhe nuk foli para zgjedhjeve për kthinën e katit të 9-të të ETC, që ndante me disa metra, humbjen nga fitorja e senatorit socialist.

Dje në emisionin “Rrethi katror”, gazetari suedez Milaim Zeka deklaroi: “Mos harroni diçka: Dy krimet e mëdha që ka bërë drejtësia shqiptare të paktën këto vitet e fundit kanë qenë rasti i Safet Gjicit dhe rasti i Salianit. Janë dënuar të dy pa asnjë provë, pa asnjë fakt, pa asnjë argument”, ndërsa drejtuesi Manushi e mbështeti deklaratën e fortë të Zekës duke thënë: “Ai rasti i Salianit është skandaloz fare”.

Meqenëse dihet se Zeka është i mirëinformuar nga shërbimet e huaja për shumë ngjarje në Shqipëri, deklarata e tij në një TV kombëtar merr një rëndësi të veçantë. Po aq sa rëndësi kanë edhe faktet që pretendon Adriana Kalaja ndaj Sudes së PD-së.

A do ketë zhvillime për fituesit piramidalë të zgjedhjeve të fundit, apo këto janë vetëm aludime të humbësve të vegjël e të mëdhenj…