Një ditë pasi Sali Berisha bëri nje denoncim për krim zgjedhor në një fshat të Elbasanit, policia e qarkut nisi procedimin penal ndaj shtetasit Dervish Beqiri, në lokalin e të cilit në fshatin Pekisht, u gjenden 10 flete votimi, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara.
Kaq mjaftoi që Sali Berisha të thirrte konferencën me gazetarët për të përsëritur akuzat e tij ndaj procesit zgjedhor te 11 majit. Por kësaj rradhe, kryefjalë nuk ishte vetëm Elbasani ku humbi me 50 mijë vota diferencë, por edhe Durrësi ku disfata ishte edhe më e thellë, 75 mijë vota. Duke përzjerë emra kandidatesh me emra militantësh, kreu i PD tani pretendon se ps ka manipuluar 28 mandate, nga 30 plus që ajo ka mbi opozitën.
“Kampion është natyrisht Sara Mile. Kampion është Arkend Balla. Kampion është Ani Dyrmishi. Kampion është Blendi Xhabafti.Këta të katër së bashku bëjnë rreth 80 mijë vota dhe këta janë vetëm pararoja e kontingjentit të krimit të 28 deputetëve që bandat morën urdhër nga Edi Rama për t’i mbështetur.”
Por duket se problemin Berisha e ka diku tjetër. Në Fier, qarkun ku i dërguari i tij Gazmend Bardhi, pësoi disfatën më madhështore, duke humbur edhe mandatet në listën e sigurtë. Dhe shqetësimi i Berishës, e ka një emër, Zegjine Çaushi.
“E merrni vesh ju pse hidhej Zeqineja nga dega në degë? Del se kishin porosi që Zeqineja duhej të futej në parlament. Ishte Sara Mile e Fierit. Pra, unë këtu para jush dua t’u them shqiptarëve se kjo farsë është një fatkeqësi e madhe kombëtare.”Por disfata e Madhështorëve për Berishën nuk ka asnjë fajtor nga PD. Të gjithë të tjerët, po.