“Ju flini gjumë, ne na zien zemra” – tension në gjyqin e vrasjes së Martin Canit

Aktualitet

Publikuar: 22/05/2025

“Ju flini gjumë, ne na zien zemra” – tension në gjyqin e vrasjes së Martin Canit

Në Gjykatën e Tiranës, procesi gjyqësor për vrasjen tragjike të 17-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, ku i akuzuar është bashkëmoshatari Merio Përlleshaj, u zhvillua përmes tensioneve të thella emocionale dhe përplasjesh mes palëve. Në një moment delikat të seancës, prokurorja Alma Felaj deklaroi: “Mbase prindërit kanë qenë në gjumë, kur fëmijët janë konfliktuar përmes mesazheve telefonike.”

Kjo fjali ngjalli zemërim të menjëhershëm nga babai i Luiz Meçës i plagosur në të njëjtën ngjarje i cili nuk i përmbajti dot emocionet dhe shpërtheu ndaj përfaqësueses së akuzës: “Ju po flini gjumë me dosjen, ne na zien zemra çdo ditë.”

Tensioni kulmoi kur ai u përball me ndërhyrjen e trupit gjykues dhe u detyrua të largohet nga salla. Sipas burimeve, debatet u nxitën nga një detaj i rëndësishëm i hetimit: një ditë para ngjarjes, viktima Martin Cani dhe Luiz Meçe kishin udhëtuar së bashku në Kavajë për të luajtur futboll dhe ishin kthyer me makinën e prindërve të Luizit. Po ajo mbrëmje dyshohet se ka qenë momenti kur ka ndodhur një përplasje përmes telefonit, që mund të ketë ndezur spiralen e dhunës që kulmoi me vrasjen.

Seanca e radhës është caktuar për 28 maj, ora 10:15, ku pritet të dëgjohen edhe tetë dëshmitarë të tjerë të mitur.