‘Partizani’ kalon për gjykim – Avokati: Berisha rrezikon 12 vite burg

Aktualitet

Publikuar: 19/05/2025

‘Partizani’ kalon për gjykim – Avokati: Berisha rrezikon 12 vite burg

Pas 7 muajsh zvarritjesh proceduriale nga avokatët e Sali Berishës, dhëndrit të tij dhe 3 të pandehurve të tjerë të aferës në dosjen “Partizani”, Gjykata e Posaçme e ka kaluar sot çështjen për gjykim.

Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me shkeljet ligjore të tjetërsimit të trojeve të kompleksit “Partizani” në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe familjes, duke siguruar miliona euro fitime nga ndërtimi i pallateve.

Avokati Idajet Beqiri tha për Report TV se Berisha tashmë ndodhet në gjyq pas taktikës së zvarritjes dhe me veprën penale që ka konsumuar rrezikon deri në 12 vite burgim.

“Zvarritja mori fund. Gjykata nuk u tregua në lartësinë e ligjit. Ishte zvarritje nga Berisha e qëllimtë duke përdorur disa “vjega” për ta shtyrë në limite, edhe me ndihmën e Gjykatës, sepse edhe kjo e fundit kishte interesin e saj. 

Që gjyqtarja Gjoka është e dënuar është një shpifje e ulët, pa dokument zyrtar, ka një shkresë për këtë nga Greqia që provon se ajo nuk është e dënuar. E ka sjellë Greqia zyrtarisht. 

Çështja ishte kompetencë e Fjorela Davidhit dhe jo Irena Gjokës. Nëse Gjoka veproi politikisht, po Apeli pse e la në masë sigurie shtrënguese Berishën, po Gjykata e Lartë, po Kushtetuesja?”, tha Beqiri.

Më tej ai parashtroi edhe çfarë përmban Kodi penal për akuzën e kreut të PD-së dhe marzhin e dënimit ndaj tij. Teksa theksoi se rrezikonte deri në 12 vite burg, Beqiri nënvizoi se Berisha dhe fmailja e tij janë bërë ndër më të pasurit me këto shkelje ligjore. “Berisha po vete në gjyq të përballet me akuzën si i pandehur për korrupsionin pasiv dhe rrezikon deri në 12 vite burg, do shkojë në kokrrën e burgut. Kur Gjykata jep detyrim paraqitje për Berishën ju thoni “bravo” vendim i drejtë, kur e kalon dosjen për gjykim, e quani të paligjshme dhe skandaloze. Jeni me dy standarde. Për Gjokën nuk ka as akte dhe as dosje penale dënimi. Berisha, Shkëlzeni, Liria dhe Argita, njerëzit më të pasur”, tha avokati për Report Tv.