SPAK dhe BKH, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, kanë nisur zyrtarisht çmontimin e një prej strukturave më të fuqishme kriminale me ndikim politik në Shqipëri; rrjetit të Tom Doshit. Gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar kontrolle dhe sekuestrime në Shkodër, Vau Dejës dhe Malësi të Madhe, me objektiv: hetimin e blerjes së votave. Burime për Pamfleti konfirmojnë se hetimet e nisura për krime zgjedhore ndaj Doshit janë zgjeruar dhe tashmë përfshijnë edhe një linjë të plotë financimi ilegal përmes rrjeteve të basteve ilegale, që funksionojnë si “ATM” e Doshit gjatë fushatës zgjedhore.
Një nga lëvizjet më të forta u bë me sekuestrimin e telefonit të shoferit personal të Tom Doshit, person që dyshohet se shërbente si korrier mes Doshit dhe njerëzve të terrenit në elektoratin e veriut. Në celular pritet të dalin prova kyçe që lidhin Doshin direkt me veprimtarinë kriminale të blerjes së votës, por edhe me kanalet e financimit të kësaj veprimtarie.
Sipas informacioneve, SPAK dhe BKH kanë nisur hetim të dedikuar edhe për rrjetin e basteve ilegale të lidhur me Tom Doshin, të cilat dyshohet se janë përdorur për të financuar fushatën e tij zgjedhore. Ky rrjet, i njohur si “333”, “CR7” dhe të tjera platforma bastesh që operojnë nën radar, është menaxhuar nga një 26-vjeçar me lidhje direkte me Doshin; Lendi Palaj, i njohur si “çerri” i tij.
Palaj është figurë qendrore në menaxhimin e rrjetit të basteve ilegale. Edhe pse në dukje i pastër, ai konsiderohet “truri operativ” i financimit të aktiviteteve elektorale të Doshit. Në skemat e publikuara më herët nga Pamfleti, Palaj ka shërbyer si mbledhës i të ardhurave cash nga rrjeti informal i basteve që qarkullon miliona euro cdo muaj, përmes dhjetëra pika fiktive dhe personave të tretë.
Kërcënime ndaj prokurorit Dritan Prençi, Doshi po përpiqet të trembë SPAK-un
Të dhënat operative flasin për pagesa të dorëzuara fizikisht me “çanta të zeza”, shpërndarje fondesh në ditë votimi, dhe listë personash që paguheshin për çdo votë të siguruar. Këto para vinin nga bizneset që Doshi ka kapur me anë të presionit politik, duke përfshirë tenderat në shëndetësi, lejet e ndërtimit të favorizuara dhe, më rishtazi, bastet ilegale që operojnë me ndihmën e strukturave të infiltruar në polici dhe administratë.
Ndërkohë, hetimi është në një pikë kritike. Prokurori Dritan Prençi, i caktuar nga Altin Dumani për të çuar përpara këtë dosje, është vënë në shënjestër të kërcënimeve mafioze. Burimet tona flasin për mesazhe të koduara, dërguar nga njerëz të Doshit në drejtim të Prençit, me përmbajtje kërcënuese dhe tentativa për ta detyruar të tërhiqet nga çështja.
Pikërisht për këtë arsye, në skemën hetimore pritet të përfshihet personalisht edhe kryetari i SPAK, Altin Dumani, i cili e njeh mirë këtë strukturë dhe ka ndërtuar një vijë të qartë luftimi kundër bandave politike që shantazhojnë shtetin.
Tom Doshi po ndien frikën që për vite me radhë ia ka injektuar të tjerëve. Rrjeti i tij është goditur nga të gjitha anët: shoferët, bastet, telefonat dhe dosjet po ecin. SPAK ka filluar t’i ndërpresë oksigjenin politik dhe financiar një strukture që ka funksionuar si një “shtet kriminal paralel” në veri dhe në qendër të vendit.
Doshi po përpiqet të reagojë me kërcënime, por ky është sinjali më i qartë se po humbet terren. Nëse hetimet shkojnë deri në fund, atëherë jo vetëm që do të rrëzohet rrjeti elektoral dhe financiar i Doshit, por mund të hapet një kapitull i ri për dekriminalizimin real të politikës shqiptare. /Pamfleti