Pse biznesi dhe halli i Familjes Berisha prevalon mbi çdo humbje elektorale dhe a do përfundojë PD-ja si LSI-ja në 2029

Kryesore

Publikuar: 16/05/2025

Pse biznesi dhe halli i Familjes Berisha prevalon mbi çdo humbje elektorale dhe a do përfundojë PD-ja si LSI-ja në 2029

Nga Adriatik Doçi

Nuk kanë humbur thjeshtë zgjedhjet e fundit. Ka 12 vite që humbin sistematikisht; Në 2013, 2015, 2017, 2019, 2021, 2023 dhe 2025. Sa herë ka zgjedhje humbin. Jo se nuk e duan fitoren, por më shumë duan zonën e rehatisë dhe sigurisë, e cila rrezikohet nga ndryshimi dhe e vërteta.

Dalin me të njëjtën fytyrë (Muli, Belo, Paloka, Vokshi, Balliu etj). Periudhën nga njëra humbje në tjetër e mbushin me të njëjtën strategji babale; gjënjeshtra, dromca të vërtetash, flakadanë, kauza për pazare dhe heshtje për kauza me interes publik.

Pas çdo humbje përsërisin të njëjtën alibi të arnuar. Kanë zbehur edhe kureshtjen për rezultatin.

Mund të duket si e tillë, por kjo nuk është një sëmundje. Nuk është një pacient që nuk ka vullnet të shërohet. Që nuk e pranon patologjinë. Është thjeshtë biznes dhe hall familjar. Dhe në biznes e rëndësishme është të mbash vendin e dyqanit. Dhe kur ke një hall e rëndësishme është kesh një armë në dorë.

Familja Berisha, e cila mban si helmetë PD-në, jo vetëm i ka ruajtur pasuritë, por i ka shtuar gjatë këtyre 12 viteve. Mbi 20 milionë euro pasuri të zbuluara vitin e kaluar, ku përfshihen 50 apartamente, vila dhe troje, janë vetëm maja ajsbergut. Fijet e disa koncensioneve dhjetëra milionë euro dhe leje për kulla e resorte shtrihen drejt saj.

Krahas shtimit të pasurisë përmes ‘vjeljes’ së biznesmenëve që marrin para dhe pasuri publike, Familja e përdor PD-në si mburojë sa herë ka ndonjë punë me drejtësinë; me protesta para SPAK-ut, mbrojtje ligjore dhe politike, kërcënime, shantazhe etj.

Krahas Familjes Berisha janë pasuruar edhe fytyrëvrerosurit besnikë të saj. Disa ish hamallë skenash koncertesh dhe personazhe që i ka hequr trikot e leshit pas anëtarësimit në NATO, shfaqen në makina luksoze dhe kanë vila në Gjirin e Lalzit, Farkë e Palasë në emrin e biznesmenëve që marrin para dhe pasuri publike. Edhe këta, kur kanë punë me SPAK-un, e fusin kokën në strehën e partisë si zogjtë nën fletën e klloçkës kur ndiejnë kërcënimin e skifterit.

Nevoja për pasurim dhe mbrojtje nga SPAK-u nuk është një domosdoshmëri e përkohshme. Kjo nevojë do të prevalojë edhe në 2027, 2029, 2031, 2033, 2035. Siç e kanë thënë edhe vetë, revulucioni zgjat në kohë dhe kryefamiljari e ka shpallur veten misionar të humbjes.

Por, si çdo fushë, edhe biznesi i Familjes Berisha me PD-në ka një risk; fatin e LSI-së, rahmet pastë. Gjatë katër viteve të fundit, PD-ja ka humbur rreth 200 mijë vota. Dhe këto vota nuk i ka vjedhur ‘narkoregjimi’, pasi tre parti të reja kanë marrë 150 mijë vota.