GJKKO ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ për Pandeli Bozhën, i arrestuar disa ditë më parë nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
70-vjeçari dyshohet se ka blerë vota në qytetin e Fierit për vajzën e tij, Limonera Bozha, e cila kandidoi në zgjedhje nën siglën e Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.
Masa e dhënë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar erdhi për shkak të moshës dhe gjendjes së rënduar shëndetësore të Bozhës. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, ngjarja ka ndodhur më 8 maj, kur Bozha i ka ofruar një shtetasi një shumë parash dhe një fletë votimi të ngjashme me atë zyrtaren, ku ishte theksuar me ngjyrë portokalli emri i së bijës, duke i kërkuar mbështetje në zgjedhje.
Ndaj personit me të cilin ka komunikuar Bozha është marrë masa e procedimit në gjendje të lirë, ndërsa organi i akuzës po heton nëse kemi të bëjmë me një rast të mirëorganizuar të shitblerjes së votës. Nga ana tjetër, vetë kandidatja e PSD-së, Limonera Bozha, ka mohuar çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme, duke e cilësuar rastin si një sulm të qëllimshëm ndaj saj.