Tre janë qarqet ku triumfi i Partisë Socialiste është përtej çdo parashikimi; Fieri, Elbasani dhe Dibra. Në Fier, ku janë numëruar rreth gjysma e kutive të votimit, PS-ja udhëheq me 64 %, duke u rritur me 12 % krahasuar me zgjedhjet e 2021. PS-ja ka marrë 12 mandate dhe po shkon drejt mandatit të 13 në Fier, ndërkohë që objektivi ishte 10 mandate nga 9 mandate që mori në 2021.
Partia Demokratike ka marrë 24 % të votave, rreth 22 % më pak se sa në zgjedhjet e 2021. PD po merr 4 mandate, por mund të përfundojë eshe me 3 mandate në Fier nga 8 mandate që pretendonte. Të dhënat tregojnë një humbje shokuese dhe të paimagjinueshme të PD-së në Fier, që konsiderohet edhe si ‘hambari’ socialist.
Fushata e PD në Fier është drejtuar nga Gazmend Bardhi. Ky i fundit, gjatë fushatës, ishte objekt i disa videove ironizuese dhe virale të kandidates së PS-së, Zegjine Çaushi, e cila i ‘qante hallin’ Bardhit si i vetmuar, që nuk e donte askush, që nuk i hapte derën askush në Fier, e ftonte t’u bashkohej shoqeve të saj, të drekonin bashkë, t’a shihte në sy nga afër si dhe e paralajmëronte se po fundoste ‘Baba bufi’ etj.
Fushata e PS-së në Fier është drejtuar nga Ministërja Belinda Balluku, e cila edhe një herë po konfirmohet si një makineri e frikshme elektorale. Dy vite më parë, Balluku drejtoi fushatën në Dibër, ku PS-ja mori katër bashkitë e qarkut.
Fitorja në 2023 besohet se e ka ndihmuar PS për përmbysjen e madhe në Dibër, në zgjedhjet e 11 majit, duke siguruar 3 nga 5 mandate dhe duke synuar edhe mandatin e katërt. Ndërkaq, në Tiranë, po projektohet një tjetër makineri e frikshme votash, që është Blendi Gonxhja. Ky i fundit, vetën në Bashkinë e Vorës, ka marrë rreth 5 mijë vota personale. Në të gjithë qarkun, Gonxhja pritet të marrë rreth 30 mijë vota.