Përplasja me armë në Laç, ndërron jetë 24-vjeçari Geri Bitri në spital

Kryesore

Publikuar: 04/05/2025

Përplasja me armë në Laç, ndërron jetë 24-vjeçari Geri Bitri në spital

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës Geri Bitri, 24-vjeçari i cili u plagos dje nga përplasja e amatosur në Laç, teksa në gjendje të rëndë është edhe 26-vjeçari Amarildo Ndoj.

Një sulm me breshëri plumbash ka ndodhur në drejtim të një mjeti në qytetin e Laçit dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur 5 persona.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 13:30 në afërsi të Kishës së Laçit pas një sherri mes një grupi të rinjsh.

Plumbat që u derdhën drejt mjetit kanë kapur edhe një grua të pafajshme, e cila ka qenë duke shitur qirinj për besimtarët që vizitojnë Kishën e Laçit.

Orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Policia e Lezhës bëri me dije se ka arrestuar 2 autorët e krimit, njëri prej të cilëve mbeti edhe i plagosur. 

Në momentin që të rinjtë kanë qenë duke zbritur nga Kisha e Laçit ka pasur një përplasje të vogël mes automjetesh dhe më pas ata kanë debatuar me njëri-tjetrin.

Të plagosurit janë Angjelina Gjeza (shitësja) 58 vjeç, Amarildo Ndoj 26 vjeç, Liridon Ismaili 26 vjeç, Daniel Gjeloshi, 26 vjeç që janë në spitalin e Traumës.

I riu ka qëlluar me armë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Blutë kanë arritur të identifikojnë dy autorët Daniel Gjeloshi, 27 vjeç, dhe Klevis Ndreca. 

“Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve D. Gj. 27 vjeç ( i cili mbeti i plagosur gjatë konflikti dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën), si dhe K. N. 28 vjeç, të dyshuar si autorë për veprat penale “vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, njoftoi policia vendore mbrëmjen e sotme (3 maj).

Pesë personat janë dërguar për mjekim në spitalin e Traumës në Tiranë dhe mësohet se dy prej tyre, Amarildo Ndoj dhe Geri Bitri, ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësoreme plagë në zonën e legenit, ndërsa tre të plagosurit e tjerë  Daniel Gjeloshi, 26 vjeç, Liridon Ismaili, 26 vjeç, dhe Angjelina Gjezaj, 58 vjeç janë në gjendje stabël dhe të vetëdijshëm, me dëmtime në gjymtyrët e poshtme.

Pranë vendit të ngjarjes, në kantierin e një pallati në ndërtim është gjetur një armë zjarri, pistoletë, që dyshohet se i përket autorit të plagosjes se 5-fishtë në Laç.

Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet e Policisë, të cilat kanë shoqëruar disa persona për verifikim, ndërsa në ndihmë të tyre kanë mbërritur edhe forcat e Njësisë Kombëtare të Sigurisë nga Shkodra. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.