Nga Emiratet e Bashkuara Arabe u ekstradua sot i shumëkërkuari i drejtësisë, Florenc Çapja, kreu i grupit kriminal “Çapja” me bazë në Elbasan.
Ai është i dënuar me burgim të përjetshëm së bashku me Ardjan Çapjan dhe Olsi Lekun, për vrasjen e Gentian e Nezir Beqirit (babë e bir) në vitin 2012 në qytetin e Elbasanit.
Por Florenc Çapja, ndër shumë krime të rëndëa ku dyshohet se është përfshirë, është edhe porositja e vrasjes së Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të Qazim Sejdinit.
Ai kishte kontaktuar me vrasësin me pagesë, Nuredin Dumani, të cilit i kishte premtuar 200 mijë euro për të eliminuar Sanxhaktarin. Krimi, sipas rrëfimit të Dumanit, i cili është tashmë i penduar i drejtësisë, nuk u krye sepse atë ditë ai ra në prangat e policisë.
“Mu premtuan 200 mijë euro nga Franca Çapaj për eliminimin e Sanxhaktarit. Informacionin do e merrnim nga Bledar Muça, Festim Coli dhe Franc Çapja”, ka deklaruar Dumani pak kohë më parë në seancën në GJKKO.
Ndërkaq, vetë Sokol Sanxhaktari dhe Adriano Hajdari janë dënuar me burg për vrasjen e shokut të tyre të fëmijërisë Florenc Lamçaj, gjatë një sherri në një lokal në Elbasan.