Atentati me porosi nga Dubai? Ky është tropojani i ndaluar për vrasjen e Rustem Hoxhajt

Kryesore

Publikuar: 30/04/2025

Atentati me porosi nga Dubai? Ky është tropojani i ndaluar për vrasjen e Rustem Hoxhajt

Personi që shihni në fotot e mësipërme është Eris Mehmetaj, i cili u ndalua ditën e djeshme në Tiranë, në lidhje me atentatin e regjistruar mëngjesin e të dielës në Vlorë, ku u ekzekutua Rustem Hoxhaj.

Ai është me origjinë nga Tropoja, teksa njihet dhe si mik i Roan Brahimit alias Sidorel Prendit, i ekzekutuar në Maj të vitit të kaluar në Athinë, i cili strehohej në Dubai.

Eris Mehmetaj është ndaluar nga uniformat blu, pas identifikimit nga Policia e Vlorës të automjetit me të cilin ka lëvizur vrasësi ditën e krimit. Nga hetimi ka rezultuar se Mehmetaj ia ka dhënë automjetin para krimit autorit, teksa mjetit më pas i ishin ndërruar edhe targat.

Eris Mehmetaj i është sekuestruar edhe celulari, nga i cili grupi hetimor beson se do të marrë të dhëna që mund ta ndihmojnë për zbardhjen e vrasjes së Rustem Hoxhajt.

Grupi hetimor dyshon se vrasja e 58-vjeçarit është porositur nga Dubai, nga një grup kriminal nga Vlora, nën dyshimet se ai mund të ketë qenë informator për grupin kundërshtar.

Eris Mehmetaj në rrjetet sociale reklamon një jetë luksi, ku pjesën më të madhe të kohës, duket se e kalon nga Dubai, nga ku ka publikuar edhe foton e fundit më 4 Mars.

Autori i vrasjes së Rustem Hoxhajt dyshohet se pas krimit është larguar përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë, teksa ky ishte dhe shkaku pse mbrëmjen e djeshme Policia ka ushtruar kontroll në zonën e Ksamilit.

Dyshohet se në krim kanë qenë edhe persona të tjerë të përfshirë.

Autori i vrasjes është filmuar nga një kamer sigurie pranë vendit ku ndodhi krimi, ku shfaqet i veshur me të zeza, me kapele në kokë dhe fytyrën të mbuluar me një maskë.

Rustem Hoxhaj punonte si roje, teksa u ekzekutua pranë banesës së tij, kur po kthehej në orët e para të mëngjesit të së dielës. Mbi Renato Hoxhajn autori qëlloi katër herë me armë zjarri pistoletë, ku 58-vjeçari mori dy plumba në trup dhe dy në kokë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se autori ka hyrë nga një rrugicë pas pallatit ku 58-vjeçari punonte, duke i dalë këtij të fundit përballë dhe më pas është larguar përsëri në rrugica.

Renato Hoxhaj jetonte i vetëm në shtëpi, teksa prej dy vitesh bashkëjetonte me një grua të komunitetit rom. Ai ishte babai i dy fëmijëve të rritur. Gruaja e tij e parë jetonte në Itali dhe shpesh fëmijët vinin për ta takuar.