“Faleminderit të gjithë udhëheqësve botërorë që tregojnë dashuri për Papën,” tha kardinali Xhovani Batista Re në Sheshin e Shën Pjetrit gjatë ceremonisë mortore në nderim të Papa Françeskut.
“Ajo që bëri Papa i ndjerë preku zemrat dhe mendimet tona. Pamja e fundit që do të mbajmë mend është ajo e Pashkës, kur ai bekoi besimtarët dhe përshëndeti njerëzit nga makina e tij, edhe pse ishte me probleme shëndetësore. Ai e ndoqi shembullin e Bariut të Mirë që e deshi aq shumë popullin e tij, sa ia kushtoi jetën.”
Më tej, kardinali shtoi: “Françesku donte të ishte pranë të gjithëve, sidomos atyre që kishin vështirësi. Ai dha gjithë energjinë e tij për të ndihmuar të varfrit dhe ata që ishin lënë pas dore. Ishte plot me dashuri dhe foli edhe për ata që ishin larg Kishës, sepse për të, Kisha duhet të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë.”
Kardinali më i moshuar kujtoi edhe udhëtimin e parë të Papës pas zgjedhjes, në ishullin Lampeduza, si dhe vizitën në Lesbos së bashku me Patriarkun Ekumenik Vartholomeu dhe Kryepeshkopin e Athinës, Jeronimi.
Ai theksoi se këto vizita kishin qëllim të ndihmonin emigrantët dhe refugjatët, sepse, siç thoshte Françesku: “Të gjithë jemi pjesë e një familjeje njerëzore dhe askush nuk mund të shpëtojë i vetëm.”
“Papa Françesku gjithmonë kërkonte paqe dhe thoshte se duhet të ketë bisedime të ndershme, sepse lufta sjell vetëm vdekje dhe shkatërrim, dhe është gjithmonë një humbje,” përfundoi kardinali italian.