Berisha: Grupet kriminale që prekin votën do i shpall organizata terroriste! Rama shan burrat për të spostuar vëmëndjen! Reformë e re Territoriale, Kashari bashki

Politikë

Publikuar: 23/04/2025

Berisha: Grupet kriminale që prekin votën do i shpall organizata terroriste! Rama shan burrat për të spostuar vëmëndjen! Reformë e re Territoriale, Kashari bashki

Koalicioni i “Aleancës për Shqipërisë Madhështore” po vijon fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Kryetari i PD, Sali Berisha, prezantoi kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës në një takim të ditës së sotme në zonën Vorë dhe Kashar.

Fjalimet hapëse u mbajtën nga kandidatët, ku u sulmua mazhoranca e majtë për skandalet qeveritare dhe financiare gjatë 12 viteve në pushtet.

Berisha sulmoi kryesocialistin Edi Rama për fyerjet ndaj burrave, duke thënë se PD ka në projektin bazë familjen dhe moralin e saj. Ai e quajti fushatën e kryeministrit si vulgare, të bazuar në sharje e fyerje.

“Kjo është aleanca më madhështore që nga viti 1990, më e madhja që do ndikojë në mirëqenien tuaj, sigurinë tuaj, të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve, të Vorës, Kasharit dhe më gjerë. Jemi parti e vlerave themelore të shqiptarit dhe shoqërisë. Në kombin tonë, si në të gjithë kombet e tjera, themeli është familja. Vijmë me një projekt për familjen shqiptare.

Kombi i fortë vjen me një familje të fortë. Nuk jam polic morali, por dashuria mes burrit dhe gruas, respekti i ndërsjellë është morali më i lartë i shoqërisë. Asnjë motër, nënë apo motër nuk do donte t’u shahej djali, bashkëshorti, prindi. Kjo fushatë vulgare e Ramës, që kërkon të zhvlerësojë familjen dhe konceptin e saj, ka një qëllim, që të spostojë vëmendjen tuaj, nga problemet e vërteta të familjes shqiptare”, tha Berisha ndër të tjera.

Ai akuzoi mazhorancës se ka degraduar sistemin arsimor dhe shëndetësor, teksa premtoi kredi të bura për çiftet e reja dhe “çati mbi kokë”, subvencione, zhbërjen e “Ballkanit të hapur”, ulje taksash e tatimesh, rroga më e ulët 500 euro, pensione 200 euro, uljen e çmimit të naftës, energjisë dhe ujit. Berisha tha se rroga e mësuesit do jetë 1500 euro. 

Ai u shpreh se “Rama nuk është klloun, edhe pse po bën kllounadë me takimet e tij, por ai do që të budallalleps njerëzit e të heqë vëmendjen nga problemet kryesore që ka vendi”.

Gjithashtu akuzoi se administrata po kërcënohet me pushim nga puna për pjesëmarrje në takimet elektorale, teksa po përdoren edhe grupet kriminale në të gjitha qytetet për të vjedhur vota apo kërcënuar qytetarët. Dukshëm si një alibi kjo që mund të përdoret edhe pas 11 majit nëse rezultati është zhgënjyes.

“Ju them të gjitha grupeve kriminale afër qeverisë që mjerë ju çdo gjeni nëse kërcënoni qytetarët për votën. pas 11 majit do shpalleni organizata terroriste“, u shpreh Berisha mes të tjerash.

Në fund ai deklaroi edhe zhbërjen e reformës territoriale aktuale, duke u thënë të pranishmëve se me reformën e re Kashari do jetë ndër bashkitë kryesore të vendit.